Sistemi e-visa, AKSHI tender 146 mln leke per digjitalizimin e sherbimeve konsullore
AKSHI ka hapur tender për përmirësimin e sistemit të vizës elektronike për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashme, me fond limit 146 milionë lekë.
Në këtë kuadër është zhvilluar sistemi e-visa qëllimi i të cilit është zbatimi i politikës së përbashkët të vizave, për lehtësimin e procedurës së aplikimit për vizë; për parandalimin e blerjes së vizave dhe lehtësimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar.
Sistemi e-Visa ka përshpejtuar procedurat që nga pagesa online e deri tek lëshimi i vizës elektronikisht, duke reduktuar ndjeshëm kohën e marrjes së shërbimit, pasi gjithçka është online dhe e aksesueshme nga të gjitha strukturat për trajtimin e vizave;
Ndërkohë, ka mundësuar integrimin e të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse në procesin e verifikimit dhe miratimit të vizës në një sistem të vetëm, e-Visa.
Në dokumentin e publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, thuhet se objektivi kryesor i këtij projekti është përmirësimi i shërbimeve dhe unifikimi i tyre.
Gjithashtu qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i sistemit të platformës e-visa që ofron institucioni, përfshirë elementet e sigurisë; për sigurimin e mjeteve dhe mekanizmave organizative e administruese, të cilat do të ndihmojnë Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të rrisin performancën, transparencën dhe efektivitetin.
Sistemi i përmirësuar e-visa do të ketë një administrim qendror nga MEPJ. Administratorët e sistemit do të administrojnë të dhënat e referencës. Duke pasur një bazë të dhënash të unifikuar, ofrimi i shërbimeve do të lehtësohet dhe të dhënat do të jenë më koherente./Burimi: Scan