Secondary Adv

Pas vetedeklarimit, Tatimet piketojne bizneset me risk per pagat

Tatimet po bëhen gati që të nisin fazën e dytë të operacionit kundër informalitetit në deklarimin e pagave.

 

Faza e parë parashikonte ndërgjegjësimin e bizneseve për të vetëdeklaruar pagat e për këtë qëllim, bizneseve iu dha kohë deri në datën 20 tetor.

 

Ndërkohë, bizneset që kanë rezultuar si subjekte me risk në fushën e informalitetit të pagave u është dhënë dhe një mundësi e dytë, për të korrigjuar situatën. Ato do të kenë mundësinë që të korrigjojnë të dhënat deri me datën 20 nëntor.

 

Bizneseve që kanë rezultuar pas vetëdeklarimit, si subjekte me risk informaliteti, iu është dërguar një paralajmërim nga tatimet.

 

“Nga analiza e të dhënave që Administrata Tatimore ka kryer bazuar në vetëdeklarimin që keni bërë në muajin shtator 2024, rezulton se në listëpagesën tuaj ka përqindje të lartë të punonjësve me pagë minimale dhe të profesioneve të specializuara me paga që nuk përshtaten me tregun.

 

  Për këtë arsye, Administrata Tatimore ju konsideron subjekt me risk në fushën e informalitetit të pagave!

 

Në datën 1 tetor 2024, Administrata Tatimore ju është drejtuar me një mesazh të personalizuar, në llogarinë tuaj në e-Filing, nëpërmjet të cilit ju inkurajonte të deklaroni me saktësi dhe vërtetësi pagat e punonjësve tuaj brenda 20 tetorit 2024, por ju nuk keni reflektuar pavarësisht njoftimit.

 

Sa më lart, Administrata Tatimore falë qasjes këshilluese, në zbatim të fushatës ndërgjegjësuese që ka ndërmarrë ju jep një mundësi të dytë për të deklaruar me saktësi dhe vërtetësi në listëpagesën e radhës, datë 20 nëntor, për të korrigjuar situatën tuaj.

 

Nëse kjo nuk ndodh edhe pas njoftimit të dytë, ju bëjmë me dije se ju do të jeni objekt kontrolli dhe monitorimi të vazhdueshëm në periudhën në vijim” shkruhet në njoftimin që Tatimet u kanë dërguar subjekteve.

 

Në fund të paralajmërimit të Tatimeve, evidentohet fakti se deklarimi i pavërtetë i këtyre të dhënave përbën shmangie tatimore dhe përbën kundravajtje administrative dhe penale./Burimi: Scan


Më të lexuarat