Secondary Adv

Projektligji i ri per tarifen e administrimit te banesave, gjobe per ata qe nuk paguajne

Së shpejti pritet të vendosen rregulla të reja për sa i përket administrimit dhe mirëmbajtjes së objekteve në bashkëpronësi në ndërtesa si pallate, komplekse e të tjera.

 

Në projektligjin e publikuar për konsultim publik parashikohen masa ndëshkuese në rast mospërmbushje të detyrimeve ligjore që lidhen me administrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve. Rregullat e reja vijnë si rezultat i moszbatimit në praktikë të ligjit ekzistues të vitit 2009.

 

Përveç Bashkisë Tiranë që ka arritur të krijojë një strukturë funksionale për të mbështetur zbatimin e këtij legjislacioni, të gjithë bashkitë e tjera në vend kanë pasur një larmi problemesh dhe mosmarrëveshje në mënyrën si administrohen objektet në bashkëpronësi.

 

Çdo bashkëpronar paguan një tarifë administrimi, pra ka një detyrim mujor me qëllim mbulimin e shpenzimeve të administrimit dhe mirëmbajtjes së ndërtesës.

 

Tarifa përfshin koston e shërbimeve dhe mirëmbajtjes për hapësirat e përbashkëta si shkallët, ashensorët, ndriçimi dhe të tjera. Bashkëpronarët kanë edhe një kuotë për të përcaktuar masën e pjesëmarrjes së çdo pronari në shpenzimet e përbashkëta dhe në proceset e vendimmarrjes.

 

Për sa i përket rolit që do të kenë bashkitë, këta të fundit do të mbajnë një kartelë, apo regjistër bashkëpronësie, me informacion të detajuar për karakteristikat kryesore të pronës dhe mënyrën e administrimit të saj.

 

Në një ndërtesë, pronarët ndajnë përgjegjësinë për mirëmbajtjen e objekteve në bashkëpronësi. Prandaj, në rast se një pronar apo dikush që vepron në emër të tij (si një qiramarrës apo kontraktues) shkakton dëm në këto hapësira, ky pronar mban përgjegjësi për riparimin e dëmit të shkaktuar.

 

Dëmtimet mund të përfshijnë dëme në rrjetet e përbashkëta si rrjeti hidraulik ose elektrik. Gjithashtu, parashikohet të krijohet edhe një fond rezervë, me qëllim përdorimin në rast emergjencash./Burimi: Scan


Më të lexuarat