Debati për papunësinë në Kosovë
Statistikat e papunësisë në Kosovë çdo herë shihen me dyshime nga pushteti dhe opozita. As njëra palë nuk pajtohet mbi atë se çfarë thonë shifrat.
Saktë askush nuk e di se sa është numri i papunëve në Kosovë. Por, çfarë thonë shifrat nga vitit 2016 deri në vitin 2024?
Janë prezantuar statistikat e papunësisë ndër vite bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Në vitin 2016, kanë qenë 84 mijë e 903 persona të papunë sipas tremujorit të katërt të ASK-së.
Në vitin 2017, ky numër është rritur në 114 mijë e 324 persona.
Për dallim nga vitit 2017, në vitin 2018, ky numër ka pasur rënie, nga mbi 114 mijë në 110 mijë e 844.
Viti 2019, karakterizohet me një rënie të dukshme, pra në 81 mijë e 452 persona.
Trendin e rënies e përcjell edhe viti 2020, pra nga mbi 81 mijë, numri i të papunëve sipas tre mujorit të katërt të deklarimit sipas statistikave të ASK-së në këtë vit ka rënë në 76 mijë e 505 persona të papunë.
Në vitin 2021 numri bie sërish, krahasuar me vitin paraprak. Si të papunë sipas statistikave del të jenë 67 mijë e 69 persona.
Edhe në vitin 2022, numri i të papunëve bie ende më shumë, dhe atë në 53 mijë e 378 persona të deklaruar sit ë papunë gjithmonë sipas statistikave të ASK-së.
Viti 2022 dhe viti 2023 nuk dallojnë shumë në këto shifra të të papunëve.
Në vitin 2023 numri bie në 53 mijë e 79 persona, pra rreth 300 më poshtë.
Krahasuar me deklarimet dhe raportet e ASK-së, në përqindje rezulton se viti 2023 ka deklarimin më të ulët të të papunëve pra vetëm 10.7% ndërsa viti me numrin më të madh të të papunëve sipas këtyre raporteve është viti 2018 me 29.1%.
Kurse, gjatë muajit të kaluar Banka Botërore tregoi se vetëm 37% e popullsisë së aftë për punë në Kosovë janë të punësuar.
“Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të të papunëve, me vetëm 37% të popullsisë së aftë për punë, të punësuar. Në Shqipëri, në fund të vitit 2023, shkalla e punësimit ishte 66.7%”.
Zbutja e varfërisë, sipas raportit, ka vazhduar në tërë rajonin, por shkalla e uljes së saj është më e ngadaltë se para pandemisë, kryesisht për shkak të rritjes më të ngadaltë ekonomike dhe rritjes së çmimit të prodhimeve ushqimore gjatë viteve të fundit.
Në përgjithësi, Banka Botërore parashikon një zbutje të varfërisë me 1% çdo vit.
Ditë më parë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gëxhaliu ka thënë se përqindja e vërtetë e papunësisë në vend është shqetësuese.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se papunësia është më shumë se katër për qind.
Duke cituar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ai ka thënë:
“Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, popullsia e përgjithshme e Kosovës arrin në 1,560,000 banorë, nga të cilët 1,174,836 janë mbi moshën 18 vjeç.
Në këtë grup, 425,499 persona janë të punësuar në sektorin publik dhe privat, ndërsa 85,000 të tjerë janë të vetëpunësuar në ndërmarrje mikro apo start-up-e që nuk janë të regjistruara formalisht si punësim.
Po ashtu, 71,000 persona janë studentë në Kosovë që ndjekin institucionet publike dhe private të arsimit”.
Sipas tij, kur merren parasysh këta faktorë, numri i të papunësuarve del të jetë mbi 559 mijë me një shifër prej 38 për qind.
“Ndërkohë, raportimet zyrtare shpesh nuk reflektojnë realitetin e përditshëm.
Për shembull, sipas Barometrit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), papunësia në Kosovë raportohet të jetë vetëm 4%, bazuar në një mostër prej 1,000 personash të anketuar.
Kjo shifër ngre shumë pikëpyetje rreth metodologjisë së përdorur dhe nuk mund të merret si tregues për të gjithë vendin, pasi është përqendruar në një mostër të kufizuar”, ka thënë ai.
Kurse, partia në pushtet, Vetëvendosja është mburrur me shifrat e punësimit edhe atyre të uljes së papunësisë. Vetëvendosje ka cituar “Barometrin Ballkanik 2024” që sipas tyre, Kosova ka nivelin më të ulët të papunësisë nga vendet e rajonit.
Sipas kësaj matje të publikuar nga partia që udhëheqë me vendin, del se niveli i papunësisë në Kosovë është 4 për qind.
“Barometri Ballkanik 2024: Kosova me nivelin më të ulët të papunësisë Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%.
Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%.
Në 1000 persona të pyetur Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%.”.
Kujtojmë se papunësia mbetet një ndër problemet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës.
Në Pulsin Publik të UNDP-së, në anketën e muajit maj 2024, thuhet se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7). %) janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.
/Monitor (https://monitor.al/debati-per-papunesine-ne-kosove/)