Secondary Adv

Turizmi në rritje edhe në vjeshtë, në tetor 9.3 për qind më shumë të huaj

Turizmi i është kthyer një rritjeje më të shpejtë në vjeshtë ku të huajt në tetor ishin 9.3 për qind më shumë se tetori i një viti më parë.

Pas një rritjeje më të zbehtë të verës, ashtu siç pritej edhe nga turoperatorët muajt e fundit të vitit po kompensojnë sezonin kaotik që lamë pas.

 

Të dhënat zyrtare të lëvizjes së Shtetasve publikuar nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë muajit Tetor 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.382.481 shtetas shqiptar dhe të huaj.

 

Ky tregues ka pësuar një rritje me 9,6%, krahasuar me Tetor 2023. 1.336.717 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 10,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

“Në Tetor 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 620.845, duke pësuar një rritje me 9,9%, krahasuar me Tetor 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 761.636. Ky numër është rritur me 9,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

 

Në muajin Tetor 2024, 624.227 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 12,0%, krahasuar me Tetor 2023. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2024, janë 712.490. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 9,8%”, vlerëson INSTAT.

 

Në Tetor 2024, 94% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 71% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 13%.

 

Turoperatorët vlerësojnë se nëntori dhe dhjetori pritet gjithashtu të kenë një ecuri pozitive të vizitorëve të huaj. Kjo lidhet me faktin se Shqipëria vijon të mbetet një destinacion trend dhe me interes teksa edhe çmimet jashtë sezonit të verës janë preferencialë dhe e bëjnë atë ekonomike.

 

Po kështu alternimi mes destinacioneve historike por edhe bregdetit dhe natyrës së Veriut e bëjnë Shqipërinë një destinacion me interes për grupet e organizuara por edhe për individualët.

 

Kryesisht në vjeshtë interesi sipas turoperatorëve ka vijuar të mbetet për aspektet kulturore dhe historike por falë kohës së mirë kjo vjeshtë ka bërë që edhe destinacionet bregdetare të mbeten të gjallëruara nga vizitorët në një periudhë atipike.

 

/Monitor (https://monitor.al/turizmi-ne-rritje-edhe-ne-vjeshte-ne-tetor-9-3-me-shume-te-huaj/)


Më të lexuarat