Portofoli i kredisë së ndërmarrjeve shtetërore arrin vlerën më të ulët në tre vjet
Portofoli i kredisë së ndërmarrjeve shtetërore ka arritur vlerën më të ulët në tre vitet e fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator, vlera totale e portofolit për ndërmarrjet publike ishte më pak se 17.2 miliardë lekë, në rënie me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky portofol vazhdon të dominohet nga kredia për sektorin energjetik, që përbën më shumë se 87% të portofolit total të huasë së ndërmarrjeve publike. Pak më shumë se 9% e portofolit është kredi për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, kryesisht ndërmarrja e Tiranës.
Pjesa e sektorëve të tjerë në huanë e ndërmarrjeve publike është në vlera shumë të ulëta.
Huamarrja e ndërmarrjeve shtetërore pranë bankave tregtare është përqendruar historikisht nga kreditë e kompanive të sektorit energjetik, kryesisht Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe ndërmarrjeve të grupit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.
Në përgjithësi, këto kredi kanë pasur si qëllim kryesor blerjen e energjisë elektrike nga importi. Këto kredi janë të siguruara me garanci sovrane nga qeveria shqiptare.
Për shkak të kushteve më të favorshme hidrike, por edhe rënies së ndjeshme të çmimeve të energjisë në tregjet e huaja, nevojat për kredi me qëllim financimin e importeve të energjisë duken të kenë qenë më të ulëta.
Megjithatë, rënia e vlerës së kredisë të ndërmarrjeve publike është ndikuar ndjeshëm edhe nga lëvizjet në kursin e këmbimit. Në pjesën më të madhe, portofoli i kredisë është në euro dhe rënia e monedhës europiane në kursin e këmbimit me lekun ka ulur edhe vlerën e këtyre kredive të shprehur në lekë.
Në fund të 9-mujorit, kursi i këmbimit euro–lek ishte në rënie me pothuajse 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave, në regjistrin e borxhit publik, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti vlera e kredive të garantuara për kompanitë e sektorit energjetik ishte 11 miliardë lekë. Shuma e kredive të garantuara ka pësuar rënie me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo shumë përbehet gjithsej nga tetë kredi, të marrë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, te Raiffeisen Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank).
Kreditë në fjalë maturohen mes viteve 2024 dhe 2031. Megjithatë, duke qenë se shumica dërrmuese e këtyre kredive janë overdrafte, në përgjithësi ato rinovohen në maturim./ Monitor (https://monitor.al/portofoli-i-kredise-se-ndermarrjeve-shteterore-arrin-vleren-me-te-ulet-ne-tre-vjet/)