Investimet e huaja në sektorët e shërbimeve profesionale vazhdojnë të rriten
Investimet e huaja në sektorin e aktiviteteve profesionale dhe teknike po vazhdojnë rritjen edhe këtë vit.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve të huaja në këtë sektor në mesin e këtij viti arriti në vlerën rekord prej 783 milionë eurosh.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, stoku i investimeve në këto aktivitete është rritur me 14.3%. Investimet në këto aktivitete përbënin rreth 5.4% të stokut total të investimeve të huaja direkte në mesin e këtij viti.
Sipas metodologjisë së matjes së investimeve të huaja nga Banka e Shqipërisë, flukset e investimeve vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës.
Rrjedhimisht, ndryshimet në stokun e investimeve të huaja nuk vijnë vetëm nga flukset e reja, por edhe nga ndryshimet në kursin e këmbimit apo ndryshimet e çmimeve.
Stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve.Në vitet e fundit, leku ka ndjekur një tendencë mbiçmuese në kursin e këmbimit me valutat e huaja, kryesisht me euron.Kjo ka dhënë një efekt pozitiv edhe mbi vlerën e stokut të investimeve të huaja direkte.
Aktivitetet profesionale dhe teknike janë kryesisht shërbime në funksion të bizneseve të tjera, sidomos për ato jashtë vendit.
Fillimisht, investimet e huaja në këta sektorë ishin të lidhura me shërbimet call center, që zhvendosën në Shqipëri shërbimet për klientin të kompanive të huaja ose në zhvillimin e fushatave të marketingut për llogari të këtyre kompanive.
Por, gradualisht, shërbimet për bizneset e huaja janë zgjeruar në një spektër më të gjerë aktivitetesh.
Në dekadën e fundit, një lulëzim kanë njohur shërbimet e marketingut për investime në bursa online apo në produkte të tjera financiare.
Por, këto shërbime në një pjesë të madhe të rasteve kanë përfshirë aktivitet financiar të palicencuar nga autoritetet përkatëse, madje shpesh edhe mashtrime të mirëfillta në dëm të shtetasve të huaj.
Sidoqoftë, investimet në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike në vitet e fundit po orientohen gjithnjë e më shumë edhe në shërbime më të sofistikuara, të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Kjo tendencë lidhet gjithmonë me koston më të ulët të forcës së punës në Shqipëri, por edhe me një nevojë në rritje për profesionistë të këtyre profileve në ekonomitë më të zhvilluara të Europës.
Shërbimet e llojit IT outsourcing për kompanitë e huaja vlerësohet se kanë shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit dhe kanë fituar një peshë në rritje në investimet e huaja në këtë sektor dhe në tërësi në rritjen e eksportit të shërbimeve të ekonomisë shqiptare.
Të ardhurat bruto nga zëri “Shërbime të tjera” në Bilancin e Pagesave për 6-mujorin 2024 arritën vlerën e 476 milionë eurove, në rritje me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë që forcimi i lekut ka ndikuar negativisht eksportet e mallrave shqiptare, eksporti i shërbimeve po ruan një rol të rëndësishëm në ngushtimin e deficitit të madh tregtar në mallra të ekonomisë shqiptare./ Monitor (https://monitor.al/investimet-e-huaja-ne-sektoret-e-sherbimeve-profesionale-vazhdon-rritjen/)