Secondary Adv

Hungaria do të trajnojë nëpunësit shqiptarë për integrimin në BE, nënshkruhet plani veprimit

Hungaria, me përvojën e saj të suksesshme si anëtare e BE-së që nga viti 2004, do të ndihmojë Shqipërinë përmes programeve të dedikuara të trajnimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, kanë nënshkruar ditën e sotme në Budapest Planin e Veprimit për trajnimin e nëpunësve të institucioneve shqiptare në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të marrëveshjes, Akademia Diplomatike Hungareze do të organizojë seminare për nëpunësit publikë shqiptarë, duke u fokusuar në përgatitjen për sfidat dhe arritjen e standardeve që kërkon procesi i negociatave me BE-në.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ministrja Pirdeni e vlerësoi Planin e Veprimit si një hap të rëndësishëm për forcimin e administratës publike shqiptare dhe përgatitjen e saj për integrimin në BE. “Duke përfituar nga përvoja e vyer e Hungarisë, ne synojmë të krijojmë një administratë më efikase dhe të përgatitur për të përmbushur detyrat e shtëpisë të këtij procesi historik,” deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, ministri Szijjártó rikonfirmoi mbështetjen e Hungarisë për potencialin e madh të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor si anëtarë të ardhshëm të BE-së.

Ky nënshkrim shënon një tjetër gur themeli në miqësinë dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Hungarisë dhe pritet të forcojë lidhjet institucionale midis dy vendeve në përpjekjet e Shqipërisë për t'u bërë pjesë e familjes evropiane.

Marrëveshja e sotme është një nga dy marrëveshjet që do të nënshkruhen përgjatë vizitës zyrtare 2-ditore të Ministres Pirdeni në Budapest.

Kjo vizitë mbahet në javët e fundit të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila, pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin I të Themeloreve në tetor, vetëm pak ditë më parë njoftoi dritën e gjelbër për hapjen e negociatave edhe për Grupkapitullin VI që ka në fokus Marrëdhëniet e Jashtme./Scantv


Më të lexuarat