Ujësjellësi i Tiranës 13 mln euro fitime në 2023, norma arriti 30 për qind
Normat e larta të fitimit vijnë në një kohë që ka ende humbje të larta, dmth uji që futet në rrjet nuk faturohet.
Norma mesatare e fitimeve në ekonominë tone në vitin 2023 ishte afërsisht 9 për qind sipas të dhënave zyrtare, por ndërmarrja e ujësjellësit të Tiranës një kompani që ofron shërbim utilitar kishte një normë fitimi 30% ose tre herë më shumë se mesatarja e tregut.
Të dhënat nga bilanci i UKT Tiranë tregojnë se, fitimet para taksave në vitin 2023 ishin 1.29 miliardë lekë një shumë e përafërt me 13 milionë euro, në një kohë të ardhurat ishin 4.3 miliardë lekë. Prej të ardhurave totale 30 për qind mbeten fitime para taksave.
Në krahun e të ardhurave zëri kryesor ishte të arkëtimet nga tarifat e furnizimit me ujë të konsumatorëve familjarë me rreth, 1,9 miliardë lekë ose rreth 47 për qind e të ardhurave, teksa në krahun e shpenzimeve gati 1 e treta janë pagesa për personelin.
Në një qeverisje të majtë ku duhet të ushtrohen politika sociale, fitimet me norma tre herë më të larta se tregu në një ndërmarrje publike nuk janë normale.
Në realitet shqiptarët dhe sidomos qytetarët e Tiranës janë të ngarkuar me shpenzime shtesë për furnizimin më ujë të pijshëm. Pothuajse të gjitha familjet furnizohen nga marketet me ujë të paketuar dhe të tjerë furnizohen nga bote që e mbushen direkt nga burimet.
Një shumicë e madhe qytetarësh kanë investuar në sisteme filtrimi për të konsumuar ujin e rrjetit.
Gjithashtu UKT Tirana nuk e ka përmbushur premtimin për furnizimin e popullatës në 24 orë me ujë, një tregues që fitimet e kompanisë nuk janë kthyer në përfitime për qytetarët.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë është nga të paktat që rezultoi me fitim në rang vendi, teksa të tjerat kanë problem të rënda në menaxhim dhe kanë krijuar detyrime të larta tek kompanitë e tjera të shtetit, duke mospaguar energjinë elektrike dhe shpesh edhe me sigurimet e punonjësve.
Sektori i ujit, prej vitit 2022 është në proces reformimi, ku sektori riorganizohet në 15 shoqëri rajonale nga 58 shoqëri individuale ekzistuese.
Deri në fund të vitit 2023 janë licencuar nga ERRU 13 shoqëri rajonale dhe mbeten akoma për tu licencuar në dy shoqëri rajonale, përkatësisht UK Tirana në përbërje te së cilës janë (Tiranë, Vorë, Kamëz).
Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë me burime ujore, që favorizon qeveritë të kenë kosto më të ulëta për furnizimin e konsumatorëve dhe prodhim të bollshëm gjithashtu.
Në vitin 2023 kohëzgjatja e furnizimit me ujë në rang kombëtar raportohet 16,6 orë në ditë, paka e a shumë në të njëjtat nivele për vite me radhë./Monitor (https://monitor.al/ujesjellesi-i-tiranes-13-mln-euro-fitime-me-2023-norma-arriti-30/)