BSH: Depozitat në monedhën europiane kalojnë pragun e 8 miliardë eurove
Depozitat bankare në monedhën europiane kaluan për herë të parë pragun e tetë miliardë eurove në muajin shtator.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e këtyre depozitave arriti në 8 miliardë e 59 milionë euro, vlera më e lartë historike. Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 12.1%.
Vetëm gjatë muajit shtator, vlera e depozitave në monedhën europiane u zgjerua me 137 milionë euro, ndërsa në gusht kishin arritur rritjen më të lartë mujore për këtë vit, me 292 milionë euro.Ashtu siç pritej, sezoni veror i ka dhënë një shtysë së mëtejshme rritjes së depozitave në monedhën europiane.
Rritja e vazhdueshme dyshifrore e depozitave në euro gjatë viteve të fundit është një tregues i prurjeve të mëdha valutore në ekonominë shqiptare.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, rritja e prurjeve valutore i detyrohet sidomos rritjes së eksportit të shërbimeve, (mbizotëruar nga turizmi), por edhe niveleve të larta të investimeve të huaja direkte, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Këtë vit po vërehet një zgjerim veçanërisht në segmentin e depozitave me afat, i nxitur edhe nga edhe rritja e normave të interesit. Depozitat me afat janë rritur me afërsisht 17% me bazë vjetore, ndërsa llogaritë rrjedhëse me pothuajse 10%.
Për vite me radhë, normat minimale të interesit bënë që publiku të mos kishte më nxitje t’i mbyllte paratë në depozita me afat.
Por, rritja e normave të interesit pas vitit 2022 ka sjellë rritje edhe të normave të interesit për depozitat, duke ndikuar edhe vlerën e depozitave me afat në euro.
Sipas segmenteve të klientëve, individët vazhdojnë të jenë dominues dhe të japin kontributin kryesor në rritje. Në rritjen vjetore prej 872 milionë eurosh të depozitave deri në fund të muajit shtator, individët kontribuan me afërsisht 65% të rritjes së tyre.
Megjithatë, në dy muajt e fundit, vërehet një rritje e kontributit të bizneseve në rritjen vjetore, që ka arritur në 35%, nga 20% që kishte qenë deri në korrik.
Në fund të muajit shtator, depozitat e individëve arritën vlerën e 5.82 miliardë eurove. Kjo shumë përbën rreth 72% të depozitave bankare në euro.
Prurjet e mëdha të valutës në ekonominë shqiptare po ushtrojnë edhe këtë vit presione të forta nënçmuese mbi kursin e këmbimit të monedhës europiane ndaj lekut.
Për herë të parë këtë vit, kursi euro lek zbriti poshtë kufirit të 100 lekëve dhe vazhdon të qëndrojë poshtë këtij niveli, madje duke thyer rekorde të reja në rënie. Në fillim të nëntorit, kursi i këmbimit të euros ka zbritur afër kufirit të 98 lekëve./Monitor (https://monitor.al/depozitat-ne-monedhen-europiane-kalojne-pragun-e-8-miliarde-eurove/)