Licencohen 245.16 MW energji diellore, 12 licenca të reja në 2024
Viti 2024 ka shënuar zhvillime në drejtim të licencave të dhëna për prodhimin e energjisë nga dielli dhe kapacitetit që pritet të instalohet nga ndërtimi i parqeve.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, deri në fund të muajit tetor janë licencuar 12 kompani, teksa kapaciteti total për projektet e tyre është 245.16 MW.
Ky trend ndjek atë të 2 viteve të fundit, që është karakterizuar nga një rritje e numrit të kompanive të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga dielli.
Kjo, duke qenë se gjatë vitit 2023 u dhanë 9 licenca për një kapacitet total prej 102 MW, ndërsa gjatë vitit 2022 u licencuan 15 kompani për projekte me kapacitet të instaluar të parashikuar prej 225.143 MW.
Licencimi i tyre erdhi pas periudhës 3 - vjeçare 2019-2021 kur nuk u dha asnjë licencë e re. Licencat e para për prodhimin e energjisë nga dielli u dhanë në vitin 2018, ndërsa aktualisht numërohen 48 kompani.
Dhënia e këtyre lejeve merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht vendi është i varur thuajse tërësisht nga energjia ujore./Scantv