Secondary Adv

Të dhënat zyrtare: Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë

Janë publikuar rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.

Sipas rezultateve, Kosova ka gjithsej 1 milion e 602 mijë e 515 banorë. Regjistrimi i popullsisë kishte filluar më 5 prill dhe ka përfunduar me 24 maj të këtij viti.

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka shpallur sot rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

 

Bazuar në këto rezultatet Kosova ka 1,602,515 banorë. Në regjistrimin e vitit 2011 Kosova kishte 1,739,825 banorë.

 

Edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka njoftuar se zyrtarisht janë regjistruar 1,602,515 milionë banorë.

 

“Vlerësohet se i gjithë projekti është vlerësuar në nivelin më të lartë. 93 për qind e banesave/ shtëpi janë me pronar dhe shumë pak janë me qira. Është rritur numri i ekonomive familjare për 69,505. Hendeku gjinor është zvogëluar nga 11,975 në vitin 2011 në 5,538 në vitin 2024, që përfaqëson një zvogëlim prej 53.8%. Mosha mesatare e popullsisë është 34.84. Kosova është vendi i dytë në Evropë me popullsi të re, është mbetur për t’u vërtetuar. Ulja e shkallës së analfabetizmit nga 3.85% në 2.27%”, tha Kastrati.

 

Ai ka njoftuar se nga dëmet e luftës janë të prekura gjithsej 154,272 ekonomi familjare.

 

“Nga dëmet e luftës, gjithsej ekonomi familjarë të prekura janë 154,272. Dëmet vetëm në ekonomi familjare, jo në institucione, është vlerësuar mbi 5 miliard euro. Dëmet e luftës në njerëz, të vrarë 11, 417, të zhdukur 1,047. Të dhënat për diasporën nuk i kemi publikuar sepse procesi vazhdon edhe këtë muaj. Në pjesën veriore të Kosovës është regjistruar një pjesë e popullsisë, kjo si shkak i politikës. Zyrtarisht janë 1,602,515 milionë banorë”, tha Kastrati.

 

Sipas rezultateve krahasuar me vitin 2011 grupmosha 0-14 vjeç ka pësuar ulje prej 6.07%, grupmosha 15-64 vjeç ka shënuar rritje prej 1.83%, ndërsa grupmosha mbi 65 vjeç ka shënuar rritje prej 4.26%.

 

Sipas rezultateve në vitit 2011 mosha mesatare ishte 29.97 vjet, kurse tani mosha mesatare e popullsisë është 34.84. Rezultatet tregojnë se mosha mestare e femrave është 35.66 ndërsa e meshkujve 34.03.

 

Në anën tjetër shkalla rurale është zvogëluar nga 62% në vitin 2011 në 49.8% në vitin 2024. Sipas rezultateve për herë të parë popullsisë urbane (50.2%) e kalon atë rurale (49.8%). Ky ndryshim sipas ASK-së tregon një lëvizje të popullsisë drejt zonave urbane.

 

Bazuar në rezultatet e publikuara, krahasuar me vitin 2011, kur është bërë regjistrimi paraprak, ka një rritje prej 21.5% në numrin e ndërtesave, banesave dhe shtëpive.

 

“Numri i banesave të përgjithshme po ashtu është rritur shumë, krahasuar me vitin 2011, për 41%, po ashtu dhe numri i banesave të zakonshme është rritur për 35%. Kjo lë të kuptohet se ndërtimi në Kosovë, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje masive”, ka theksuar drejtori i ASK-së, Avni Katrati.

 

Të dhënat tregojnë se në Kosovë popullsia ka dominim të madh të banesave në pronësi me 92.8 për qind, ndërsa numri i banesave me qira në forma tjera mbetet shumë i ultë, përkatësish 5.3 dhe 1.2%.

 

Numri i ekonomive familjare është rritur për 69 mijë e 505 apo për 23.4%.

 

Sipas të dhënave të ASK, popullsia e Kosovës është një shumicë e madhe që i përkasin besimit islam.

 

93.49 % të qytetarëve të Republikës së Kosovës i përkasin besimit islam, 2,31 % janë të përkatësisë ortodokse, 1,75 % janë deklaruar katolikë, të tjerë 0.45 %, pa asnjë besim janë deklaruar 0,50 % dhe s’janë përgjigjur 1.50 %.

 

/Monitor (https://monitor.al/te-dhenat-zyrtare-kosova-ka-1-milion-e-602-mije-e-515-banore/)


Më të lexuarat