Kosova pjesë e SEPA në 2025, vendi pritet të kursejë 55 mln euro nga transfertat ndërkombëtare
Kosova pritet që vitin e ardhshëm të anëtarësohet në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA).
Kosova dorëzoi paraaplikimin në SEPA më 14 tetor 2024, por një nga Drejtoritë e Përgjithshme të Komisionit Evropian nuk e mori në shqyrtim paraaplikimin, pasi legjislacioni që kishin kërkuar ata të miratohej, nuk ishte miratuar akoma nga shteti fqinj.
Menjëherë pas miratimit të tre ligjeve të rëndësishme për sektorin financiar dhe që lidheshin direkt me procesin e anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), si Ligji për Bankat, Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe ndryshimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Banka Qendore e Kosovës miratoi 20 rregulloret përkatëse të cilat hynë në fuqi në të njëjtën kohë me ligjet respektive.
Hyrja në fuqi e ligjeve dhe rregulloreve mundëson përmbylljen e këtij procesi paraprak dhe përgatitjen e aplikimit përfundimtar. Anëtarësimi i Kosovës në SEPA pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe financiare. Qytetarët dhe bizneset do të kursejnë rreth 55 milionë euro nga reduktimi i tarifave për transfertat ndërkombëtare.
Për sa i përket Shqipërisë, pas rreth 5 muajsh nga data e aplikimit, në 21 nëntor, vendi ynë do të bëhej pjesë zyrtarisht e zonës gjeografike të skemave të Tregut Unik të Pagesave në Euro. Në të njëjtën datë do të pranohej edhe Mali i Zi.
Pas aplikimit individual nga bankat e nivelit të dytë dhe testimit të tyre, vetëm nga data 5 tetor 2025, qytetarët shqiptarë mund të realizojnë transferta përmes këtij sistemi. Shqipëria pritet të kursejë rreth 20 milionë euro nga SEPA në vitin e parë, më pak se Kosova, pasi edhe transfertat që realizojnë emigrantët në Kosovë janë disa herë më të larta se në Shqipëri./Scantv