Secondary Adv

Rumania dhe Bullgaria i bashkohen zyrtarisht zonës Schengen

Më 1 janar 2025, Rumania dhe Bullgaria janë bërë anëtarë me të drejta të plota të zonës pa kufij Shengen.

Në fillim të vitit të ri, më 1 janar 2025, Rumania dhe Bullgaria janë bërë anëtarë me të drejta të plota të zonës pa kufij Shengen të Bashkimit Europian, pasi hoqën kontrollet kufitare tokësore në bllok.

 

Zgjerimi u prezantua zyrtarisht në mesnatën e së mërkurës dhe u shënua nga festime në disa nga pikat kufitare të vendeve. Në mesnatë, ministrat e brendshëm të Bullgarisë dhe Rumanisë ngritën në mënyrë simbolike barrierën ndarëse të urës së Danubit.

 

Ky vendkalim, i njohur gjithashtu si Ura e Miqësisë, lidh të dy vendet dhe është një pikë kyçe tranziti për tregtinë ndërkombëtare. Fishekzjarre u hodhën gjithashtu pranë qytetit kufitar bullgar Ruse, ku ndodhet ura.

 

Dy vendet iu bashkuan pjesërisht zonës Shengen në mars, kur hoqën kontrollet për udhëtimet ajrore dhe detare. Megjithatë, diskutimet mbi kontrollet e kufirit tokësor vazhduan.

 

Komisioni Europian e ka mirëpritur më parë zonën e zgjeruar Shengen, duke u shprehur se e bën “BE-në më të fortë, brenda bashkimit dhe në skenën globale”.

 

Zona tani përfshin 25 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, duke përjashtuar Qipron dhe Irlandën. Ajo mbulon gjithashtu Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

 

Sipas Komisionit Europian, zona Schengen mundëson lëvizjen e lirë të më shumë se 425 milionë qytetarëve të BE-së, si dhe shtetasve jo-BE, që jetojnë në bllok ose që vizitojnë.

 

Gjithashtu u mundëson qytetarëve në bllok të udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë pa formalitete. Zona Shengen është zona më e madhe e lëvizjes së lirë në botë, sipas komisionit.

 

/Monitor (https://monitor.al/rumania-dhe-bullgaria-i-bashkohen-plotesisht-zones-schengen/)


Më të lexuarat