Secondary Adv

Tenderët, APP u tërheq vëmendjen institucioneve për specifikimet dhe fondet limit

Pas verifikimit të një serie procedurash prokurimi të zhvilluar nga institucione të ndryshme përgjatë viteve 2021-2024 duket se Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur të tërheqë vëmendjen për disa pika.

Së pari lidhur me specifikimet teknike APP nënvizon se autoritetet kontraktore duhet të argumentojnë këto specifikime sipas kërkesave ligjore. Këto të fundit nuk duhet të hartohen me parametra fikse ose me interval minimal.

 

“Vendosja e specifikimeve në këtë mënyrë mund të orientojë ofertuesit drejt markave specifike prodhuese dhe distributorëve specifikë të mallrave apo mund të bëhet pengesë për pjesëmarrje” thuhet në shkresën që APP u drejton autoriteteve kontraktore.

 

Po kështu APP vlerëson se entet publike duhet të mbajnë parasysh që specifikimet teknike të përgatiten për të përshkruar sa më saktë dhe në mënyrë të plotë objektin e prokurimit. “Në këtë kuptim aty ku është e nevojshme duhet të përcaktojë specifikimet konkrete për zërat të preventivit duke përshkruar tërësinë e kërkesave në lidhje me procesin e punës që do të realizohet në këtë fazë” thuhet në dokument.

 

Lidhur me fondin limit APP gjykon se autoritetet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë të dokumentojnë përllogaritjen e fondit limit edhe në rastet kur bazohen në çmimet e kontratave të mëparshme. Edhe këto raste autoritetet kontraktore duhet të mbajnë procesverbal ku të cilësojnë mënyrën e përzgjedhur për llogaritjen e fondit përfshirë edhe vlerën përkatëse të kontratave ngjashme.

 

“Nëse përllogaritja e fondit limit bazohet në testimin e tregut në procesverbalin që mbahet për këtë qëllim duhet të cilësohen operatorët ekonomikë të cilët kanë dhënë oferta si dhe vlerat përkatëse të ofertave të dhëna. Mos përcaktimi i këtyre të dhënave në procesverbal nuk provon lidhjen ndërmjet ofertave të administruara në dosje me vlerën e rezultuar të fondit limit dhe të përcaktuar në procesverbal” thuhet në dokument.

 

Një pikë e tretë lidhet me kërkesat e veçanta të kualifikimit ku APP nënvizon se për hartimin e tyre duhet të mbahen parasysh disa element që nisin nga numri i punonjësve si dhe analiza teknike që bazohen në kërkesa specifike të autoritetit kontraktor si dhe mjetet që disponohen.

 

Lidhur me vlerësimin e ofertave shkresa nënvizon se në rastet e ofrimit të bashkimit të operatorëve institucionet duhet të mbajnë parasysh që të evidentojnë gjatë vlerësimit të ofertave të gjithë operatorët e këtij bashkimi.

 

/Monitor (https://monitor.al/tenderet-app-u-terheq-vemendjen-institucioneve-per-specifikimet-dhe-fondet-limit/)


Më të lexuarat