Nënshkruhet marrëveshja për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në vendet e Rajonit
Banka Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan me Bankën e Italisë marrëveshjen e bashkëpunimit mbi nisjen e projektit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në vendet e Rajonit.
Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, në këtë ceremoni morën pjesë Guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta, dhe Zëvendësguvernatorja, Chiara Scotti, së bashku me Guvernatorët dhe Zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Marrëveshja e bashkëpunimit parashikon që Banka e Italisë të ofrojë një sistem pagesash të shpejta të bazuar në një kopje të shërbimit TIPS, e cila është platforma europiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale, e projektuar, krijuar dhe administruar nga Banka e Italisë në emër të Eurosistemit. Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, i janë bashkuar kësaj iniciative, e cila është miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Europiane (BQE). Maqedonia e Veriut ruan të drejtën për t’iu bashkuar kësaj iniciative në një datë të mëvonshme.
Platforma e re, e cila do të jetë funksionale brenda 18 muajve nga nisja e punës (e planifikuar për javët e ardhshme) do të mundësojë kryerjen e pagesave në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse. Menjëherë pas nisjes së fazës së zbatimit, do të zhvillohen dhe funksione të tjera. Gjithashtu, platforma do të krijojë një lidhje dypalëshe për shlyerjen e pagesave midis zonës gjeografike ku TIPS operon dhe zonës së Ballkanit Perëndimor, duke përdorur një zgjidhje teknologjikisht të përparuar dhe me kosto të ulëta.
Sipas Bankës së Shqipërisë, nënshkrimi i marrëveshjes është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me sistemin financiar të Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje vjen në vijim të anëtarësimit të vendeve të para të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe Malit të Zi, në Zonën e Vetme Europiane të Pagesave (SEPA).
BSH: Pagesat e shpejta mund të kursejnë deri në 40 miliardë lekë
Pagesat e shpejta do kryhen nëpërmjet një sistemi pagesash që ofron shërbim të vazhdueshëm 24 orë në ditë/365 ditë në vit dhe mundëson realizimin e tyre në pak sekonda. Ndërsa me transfertat e rregullta bankare zakonisht duhet të paktën një ditë pune që paratë të arrijnë në llogarinë bankare të marrësit, me pagesat e shpejta, transferimi i parave është pothuajse i menjëhershëm midis llogarive bankare. Platforma e re e pagesave pritet të jetë funksionale brenda 18 muajve.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave të shpejta mund t’i kursejë qytetarëve, bizneseve, aktorëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, rreth 35 – 40 miliardë lekë.
Adoptimi i një sistemi pagesash të shpejta sjell një sërë përfitimesh në nivel kombëtar, duke filluar me nxitjen e efikasitetit të ekonomisë, rritjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e ekonomisë informale. Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, sistemi i pagesave të shpejta do të sjellë një rritje drastike të pagesave elektronike në tregun shqiptar.
Sipas Bankës Ndërkombëtare të Rregullimeve, ekonomitë që adoptojnë sisteme pagesash të shpejta, përjetojnë një rritje të PBB-së prej 0.5-1%, për shkak të cikleve më të shpejta të transaksioneve dhe përfshirjes së zgjeruar financiare.
Banka e Shqipërisë vlerëson se ky projekt përbën një hap të suksesshëm në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të procesit të integrimit europian dhe shtron rrugën për hapat e radhës të konvergjencës ekonomike, si dhe ndihmon në digjitalizimin e mëtejshëm të pagesave në Shqipëri.
/Monitor (https://monitor.al/nenshkruhet-marreveshja-per-krijimin-e-sistemit-te-pagesave-te-shpejta-ne-vendet-e-rajonit/)