Bota shkeli objektivin e ngrohjes globale 1.5 gradë Celsius për herë të parë në 2024
Të dhënat për vitin më të nxehtë ndezin frikën se ndryshimi i klimës po përshpejtohet më shpejt se sa pritej.
Agjencia europiane e vëzhgimit Copernicus konfirmoi se viti 2024 ishte viti më i nxehtë i regjistruar, me temperatura mesatare të sipërfaqes 1.6 gradë Celcius mbi nivelet paraindustriale, pasi emetimet e gazeve serrë arritën një nivel të ri.
Ishte viti i parë kalendarik, që temperaturat mesatare tejkaluan objektivin e marrëveshjes së Parisit të vitit 2015 për kufizimin e ngrohjes globale, që nga koha para-industriale në nën 2 gradë Celcius dhe mundësisht në 1.5 gradë Celcius.
Një varg fatkeqësish klimatike vitin e kaluar – duke filluar nga përmbytjet tek valët e të nxehtit – nuk ishte një anomali statistikore, por të lidhura qartë me ndryshimet klimatike të nxitura nga rritja e dioksidit të karbonit dhe metanit.
Copernicus tha se vitet 2015-2024 ishin dhjetë më të ngrohtat e regjistruara.
Disa biznese në mbarë botën kanë filluar gjithashtu të dobësojnë objektivat klimatike dhe të zhbëjnë përpjekjet për ekonominë e gjelbër.
Të dhënat e fundit nuk përfaqësojnë një shkelje përfundimtare të marrëveshjes së Parisit, objektivat e së cilës i referohen mesatareve të temperaturës të matura gjatë më shumë se dy dekadave.
Por shqetësimet se ndryshimet klimatike janë përshpejtuar janë nxitur nga provat se oqeanet e botës janë ftohur më ngadalë se sa pritej, pas efektit të ngrohjes natyrale të El Niño në Oqeanin Paqësor.
Ajo që është “më e habitshme është se sa më i ngrohtë ka qenë viti 2024 dhe pjesa më e madhe e vitit 2023”, tha Tim Lenton, kryetar i ndryshimeve klimatike dhe shkencës së sistemit të tokës në universitetin Exeter, duke vënë në dukje se madhësia dhe qëndrueshmëria e rritjes së temperaturës gjatë periudhës ishin “të jashtëzakonshme”.
Ai shtoi: “Ky është një sinjal i qartë i destabilizimit të klimës – një sistem më pak i qëndrueshëm pëson luhatje më të mëdha dhe më të vazhdueshme.”
Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu ishin nxitësi kryesor i temperaturave ekstreme të sipërfaqes së ajrit dhe detit në vitin 2024, tha Copernicus, ndërsa faktorë të tjerë si El Niño, i cili zyrtarisht mori fund qershorin e kaluar, gjithashtu kontribuan.
Ky vit pritet të jetë më i freskët se 2024, pjesërisht për shkak të ndikimit të zvogëluar të El Niño, i cili është ciklik. Fillimi i një cikli të dobët të ftohjes La Niña u konfirmua të enjten nga agjencia amerikane e motit.
Por Samantha Burgess, në Qendrën Europiane për Parashikimet e Motit, tha se ende ndoshta do të renditej në mesin e tre më të nxehtëve të regjistruar.
Copernicus tha se viti 2024 ishte viti më i ngrohtë për të gjitha rajonet kontinentale, përveç Antarktidës dhe Australisë, si dhe për “pjesë të konsiderueshme” të oqeaneve të botës, veçanërisht në Atlantikun verior, Indian dhe Oqeanin Paqësor perëndimor.
Nivelet globale të ujit atmosferik në vitin 2024 arritën nivele rekord, 5 % mbi mesataren e viteve 1991-2020, duke nxitur “valë të nxehta të paprecedentë dhe ngjarje të dendura shiu, duke shkaktuar mjerim për miliona njerëz”.
/Monitor (https://monitor.al/bota-shkeli-objektivin-e-ngrohjes-globale-15-grade-celsius-per-here-te-pare-ne-2024/)