Secondary Adv

Shumë importe, pak eksport: Deficiti tregtar i Kosovës rritet me 17.5 për qind

Deficiti tregtar i Kosovës shënoi një rritje prej 17,5% në dhjetor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Eksportet e mallrave arritën në vetëm 69,6 milionë euro. Kurse, importet u rritën ndjeshëm, duke arritur në 631,1 milionë euro.

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mbi treguesit e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2024, ku është evidentuar një deficit tregtar prej 17,5%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

 

Deficiti tregtar për dhjetor 2024 ka arritur në 561,5 milionë euro, duke shënuar rritje nga 477,7 milionë euro që ishte në dhjetor 2023.

 

Eksporti mbulon importin me vetëm 11,0%.

 

Eksportet e mallrave arritën në vetëm 69,6 milionë euro, duke mbuluar importet në masën minimale prej 11,0%. Në të kundërt, importet u rritën ndjeshëm, duke arritur në 631,1 milionë euro, me një rritje prej 16,2% krahasuar me vitin e kaluar.

 

Ky është një sinjal i qartë se ekonomia po përballet me një mungesë të thelluar të kapaciteteve prodhuese dhe konkurruese përballë tregjeve ndërkombëtare.

 

Të dhënat tregojnë një mungesë diversifikimi në strukturën e eksporteve dhe dominimin e disa sektorëve:

 

Eksportet përbëheshin kryesisht nga metale bazë (20,3%), ushqime të përgatitura, pije dhe duhan (14,9%), si dhe plastika dhe goma (11,5%).

 

Importet, nga ana tjetër, ishin të përqendruara në produktet minerale (16,6%), makineri dhe pajisje mekanike/elektrike (13,1%) dhe ushqime të përgatitura (12,7%).

 

Kjo strukturë tregon varësinë e lartë të ekonomisë nga importet, sidomos për mallra me vlerë të shtuar, ndërsa eksportet mbeten kryesisht produkte me përpunim të ulët.

 

Eksportet drejt vendeve të BE-së shënuan një rritje prej 26,6%, duke arritur në 23,6 milionë euro, ndërsa importet nga këto vende arritën në 269,8 milionë euro (+5,7%). Partnerët kryesorë për eksport ishin Gjermania (10,0%) dhe Austria (5,0%).

 

Eksportet drejt vendeve të CEFTA-s arritën në 33,2 milionë euro (+19,0%), ndërsa importet shënuan një rritje alarmante prej 44,1%, duke arritur në 99,6 milionë euro. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin partnerët kryesorë.

 

Eksportet me këto vende shënuan 12,7 milionë euro (18,3%), me Zvicrën dhe SHBA-në si partnerë kryesorë. Ndërsa, importet nga Turqia dhe Kina përbënin pjesën më të madhe të këtij grupi.

 

Rritja e importit dhe deficiti tregtar në rritje tregojnë për dobësinë strukturore të ekonomisë së Kosovës, e cila mbetet e varur nga mallrat e importit dhe ka kapacitete të kufizuara për prodhim dhe eksport.

 

Shifrat e tregtisë nxjerrin në pah mungesën e një strategjie të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, investimet e ulëta në teknologji dhe përpunim, si dhe një klimë jo të favorshme për prodhuesit vendas.

 

Sipas të dhënave të ASK-së, grupet kryesore të eksporteve janë: Metalet bazë dhe artikujt prej tyre – 20,3%. Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani – 14,9%. Plastika, goma dhe artikujt prej tyre – 11,5%. Artikujt e ndryshëm të prodhuar – 7,3%. Produktet minerale – 59,8%.

 

/Monitor (https://monitor.al/shume-importe-pak-eksport-deficiti-tregtar-i-kosoves-rritet-me-75/)


Më të lexuarat