Pension social për ata që kanë humbur vitet e punës, ja skema si do të funksionojë
Ish-punonjësit e ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore deri në 1994 do të përfitojnë njohjen e periudhave kontributive për pension.
Të gjithë ata qytetarë që kanë punuar ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrjet apo ish-kooperativat bujqësore deri në vitin 1994 dhe sot nuk gëzojnë pension për shkak të mungesës së dokumentacionit, do të përfitojnë njohje të periudhave kontributive për efekt pensioni.
Këta individë do të përfitojnë minimalisht një pension në masën e pensionit social prej rreth 9500 lekësh në muaj. Projektligji që synon të zgjidhë këtë problematikë është diskutuar dhe miratuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Olta Manjani, Zv.Ministre e Ekonomisë:
“Shumë prej punonjësve të ish ndërmarrjeve shtetërore dhe ish kooperativave bujqësor e nuk arrijnë të dokumentojnë marrëdhëniet e punës përpara viteve 1994. Dhe duke qenë se nuk kanë pasur periudha kontributive pas 1944 nuk plotësonin kushtet për pension.
Projektligji rregullon efektet e mbartura në lidhje me njohjen e viteve të punës kur kanë problematika të tilla. Miratimi i këtij projektligji do të mundësonte përfitimin e një pensioni të paktën sa masa e pensionist social. Efektet financiare të këtij projektligji 5 miliardë lekë. Projektligji do rrisë sigurinë sociale për ata që kanë punuar përpara vitit 1994 dhe do të reduktojë pabarazinë sociale”.
Kostoja që paguan aktualisht buxheti për proceset gjyqësorë të hapura për këtë problematikë është shumë e lartë. Ndërsa projektligji ka një kosto prej 50 milionë eurosh për një periudhë 16 vjeçare.
“Procese gjyqësore që janë të lidhura me projektligjin në fjalë janë rreth 3 mijë në vit dhe numri i individëve që dërgojnë kërkesë padi në gjykata dhe fitojnë gjyqin është shumë i lartë dhe vetëm më pak se 1 për qind nuk i fitojnë gjyqet.
Duke qenë se ka pasur shumë kosto, ky projektligj vjen në ndihmë për minimizimin e këtyre kostove. Procedurat janë thjeshtuar. Qytetarët duhet të dorëzojnë vetëm një certifikatë dhe dokument të banesës dhe do të shqyrtohen nga ana administrative. Efektet financiare janë 5 miliard lekë për 15-16 vite”, tha ajo.
Lidhur më këtë çështje, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka evidentuar problematika të konsiderueshme, si: mungesë e plotë të dhënash, të dhëna të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, identitete të pasakta, fletë të dëmtuara, mungesë dokumentacioni për subjekte të caktuara etj./Scantv