Secondary Adv

Ndërhyrja në ujësjellës, disbursimi i fondeve në programin e BB arrin 17 mln USD

BB ka vlerësuar përmirësim të projektit të ujësjellësve, duke e ngritur treguesin nga “ii pakënaqshëm në mënyre të moderuar” në “i kënaqshëm në mënyrë të moderuar”.

Banka Botërore ka kaluar në vlerësim ecurinë e projektit që lidhet me sektorin e ujësjellësve duke e përmirësuar me një shkallë treguesin nga “i pakënaqshëm në mënyre të moderuar’ në “i kënaqshëm në mënyrë të moderuar”.

 

Ky vlerësim sërish mbetet një vlerësim modest në tërësinë e shkallëve por duket se  projekti që ka dy linja financimi me një total prej 81.5 milionë dollarësh ka shënuar disa hapa para.

 

“U vunë re piketa të rëndësishme, duke përfshirë përfundimin e Treguesit 1 të Lidhur me Disbursimin (DLI 1), i cili mbështet financimin dhe subvencionet e përmirësuara të sektorit. Progres u arrit edhe në DLI të tjera, si financimi i sektorit alokimet, qëndrueshmëria financiare, vazhdimësia e shërbimit dhe lidhjet e reja të konsumatorëve familjarë, me disa veprime kyçe të identifikuara për të ruajtur ritmin dhe arritur objektivat” thuhet në argumentimin e Bankës Botërore në raport.

 

Konkretisht në linjën e parë të financimit që ka një total prej 75 milionë dollarësh në rishikimin e fundit thuhet se disbursimi arriti 16.38 milionë dollarë deri në janar me një total prej 22.08 për qind kurse në li njën e dytë të kredisë efektive financimi total është 6.3 milionë dollarë. Nga kjo linjë disbursimi arriti 9.94 për qind e totalit apo 0.63 për qind.

 

Në raportin e bankës citohen elementë të rëndësishëm që duhet të mbahen parasysh të lidhura me aspekte si prokurimet ku nënvizohet se duhet të parandalohen vonesat për shkak të ankesave sa i përket tenderëve.

 

Nga ana tjetër Banka vlerëson se audituesit e programit janë trajnuar në 2024 për të eliminuar problematika të ndryshme diçka për të cilën banka po eksploron mundësi të reja për të siguruar ecuri të mirë sa i takon auditimit financiar.

 

Po kështu një sërë specialistësh të rëndësishëm për këtë program janë punësuar teksa për të tjerë do të vazhdojnë rekrutimet gjatë 2025-ës.

 

Programi Kombëtar i Modernizimit të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve të Shqipërisë po mbështetet tashmë prej disa kohësh me financim nga Banka por edhe qeveria duke synuar investime në rajone të ndryshme të vendit. / Monitor(https://monitor.al/nderhyrja-ne-ujesjelles-disbursimi-i-fondeve-ne-programin-e-bb-arrin-17-mln-usd/)


Më të lexuarat