Miratohet ligji për njohjen e viteve të punës, do përfitojnë mbi 30 mijë punonjës
Miratohet në Parlament ligji “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore”.
Nisma e ndërmarrë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka si qëllim njohjen automatikisht të periudhave të punësimit para vitit 1994 për punonjësit e ish ndërmarrjeve të kooperativave bujqësore.
Miratimi i ligjit do të sjellë eliminimin e proceseve gjyqësore për rastet kur duhej të dëshmohej nëpërmjet dokumentacionit puna në ish ndërmarrjet shtetërore.
Ministri i MEKI Blendi Gonxhe tha se nga miratimi i ligjit do të përfitojnë mbi 30 mijë individë në vit.
“Ky ligj, eliminon burokracitë dhe shpenzimet që mijëra qytetarë janë detyruar të përballojnë për të provuar vjetërsinë në punë; Njeh automatikisht periudhat e punësimit para vitit 1994, duke shmangur proceset e gjata gjyqësore; Përmirëson jetën e mbi 30 mijë qytetarëve që lidhin pensionin çdo vit, duke i siguruar atyre të drejtat e plota që u takojnë; Përfaqëson një tjetër angazhim konkret për të ndarë frytet e rritjes ekonomike me të gjithë, veçanërisht me qytetarët në moshë pensioni.
Për shumë vite, një problematikë e trashëguar ka rënduar mbi qytetarët që, për shkak të keqmenaxhimit të dokumenteve shtetërore, nuk kanë mundur të dëshmojnë vitet e punës dhe kanë marrë pensione më të ulëta nga sa u takonte. Mijëra prej tyre janë detyruar të ndjekin rrugë të gjata ligjore për të fituar të drejtën e tyre, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë pasur mundësi të kërkojnë atë që u takon.
Me këtë ligj, ky kapitull i kalvareve burokratike me mbi 3,000 procese gjyqësore në vit, e i padrejtësisë mbyllet përfundimisht”, pohon Gonxhe.
Me miratimin e ligjit do të njihen automatikisht periudhat e punës për punonjësit që kanë punuar në institucione dhe ndërmarrje shtetërore deri më 01.10.1993; Ish-ndërmarrje bujqësore deri më 17.10.1992; Ish-kooperativa bujqësore deri më 19.07.1991. / Monitor (https://monitor.al/miratohet-ligji-per-njohjen-e-viteve-te-punes-do-perfitojne-mbi-30-mije-punonjes/)