
Tarifat e Trump shkaktojnë rënie të aksioneve globale dhe forcimin e dollarit
Tregjet globale të aksioneve ranë dhe dollari u rrit, ndërsa investitorët nxituan të vlerësojnë se si tarifat e Presidentit Donald Trump do të ndikojnë në SHBA dhe partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë.
Indeksi standard Stoxx Europe 600 dhe FTSE 100 ranë secili me 1.4% në tregtimin e mëngjesit pasi Trump zbatoi një breshëri tarifash gjatë fundjavës.
Kontratat e së ardhmes, që ndjekin indeksin S&P 500 ranë 1.6%, ndërsa të Nasdaq-it të teknologjisë së rëndë 1.9%.
Në tregjet e paqëndrueshme valutore, dollari kanadez arriti nivelin më të ulët që nga viti 2003 dhe pesoja meksikane ra pothuajse 3%. Trump vendosi tarifa 2% për importet nga Meksika dhe Kanadaja, megjithëse produktet kanadeze të energjisë i nënshtroheshin një takse më të ulët prej 10%.
Indeksi i dollarit kundrejt monedhave të partnerëve të tij kryesorë tregtarë u rrit me 1%. Presidenti amerikan vendosi gjithashtu tarifa prej 10% për importet nga Kina dhe u zotua të dielën se taksat ndaj BE-së “do të ndodhin patjetër”.
BE-ja mund të përdorë politikat doganore kundër tarifave amerikane, paralajmëron Scholz
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se Europa do t’i përgjigjet me forcë çdo tarife të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe do të kërkojë rrugë alternative tregtare.
Scholz tha në Bruksel se, si SHBA ashtu edhe Europa përfitojnë nga tregtia si në mallra ashtu edhe në shërbime.
“Nëse politikat doganore do ta vështirësonin këtë, do të ishte keq për SHBA-në dhe keq për Europën,” tha ai.
Scholz tha se Europa ishte “ekonomikisht e fortë”.
Por ai shtoi se, ndërsa prioriteti kryesor mbeti bashkëpunimi me SHBA-në, blloku ishte “i lidhur me të gjithë botën” dhe mund të “tregtonte me të gjithë botën”.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas ka thënë se BE po përgatit një përgjigje ndaj tarifave të mundshme të SHBA-së në bllok.
“Ne po i dëgjonim me kujdes ato fjalë dhe sigurisht po përgatitemi edhe nga ana jonë”, tha Kallas.
Ish-kryeministrja e Estonisë tha se shpresonte, që një luftë tregtare të shmangej, pasi “nuk ka fitues në luftërat tregtare”.
“Ne jemi shumë të ndërlidhur, ne kemi nevojë për Amerikën dhe Amerika ka nevojë për ne,” tha ajo. “Tarifat rrisin kostot, nuk janë të mira për punë, nuk janë të mira as për klientët”.
Aksionet europiane bien nga frika e tarifave
Të gjithë sektorët në të gjithë Europën filluan tregtimim më ulët të hënën, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa ndaj partnerëve të rëndësishëm tregtarë, përfshirë BE-në.
Prodhuesit e automjeteve pësuan rënien më e madhe. Indeksi i Stoxx Europe 600 Automobiles and Parts ra më shumë se 4%.
Aksionet e Volkswagen ranë deri në 6.8% në fillim të tregtimit. BMW ra me 6.5%, Daimler Truck ra me 6% dhe Mercedes-Benz ra me 5.3%.
Në Francë, Renault dhe Stellantis ranë përkatësisht me 4% dhe 7%. Furnizuesi francez i pjesëve të makinave Valeo ra me 9%.
Megjithatë, teknologjia, industritë dhe sektorët e tjerë të lidhur me mallrat u goditën gjithashtu rëndë. Indeksi Stoxx Europe 600 Technology ra 2.4% në tregtimin e mëngjesit.
Shërbimet financiare dhe bankat, duke përfshirë bankat spanjolle me ekspozim ndaj Meksikës – BBVA SM dhe Banco Santander SA – ranë përkatësisht 5 dhe 2.4%.
Çmimet e naftës rriten
Çmimet e naftës u rritën të hënën, pasi tarifat gjithëpërfshirëse të presidentit amerikan Donald Trump ngritën frikën e ndërprerjes së furnizimit nga dy furnizuesit më të mëdhenj në SHBA.
Nafta e papërpunuar Brent, u rrit 1.4% në 76.75 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate, homologu i tij amerikan, u rrit 2.5% në 74.34 dollarë.
Rystad Energy tha se ndikimi i tarifave ka të ngjarë të rezultojë në teprica të naftës së papërpunuar dhe të produkteve në Kanada dhe Meksikë, ndërkohë që shkakton mungesa për sistemin amerikan, duke dërguar “një sinjal të përgjithshëm rritës në treg”.
SHBA e merr shumicën e importeve të naftës nga Kanadaja – si dhe rreth 500,000 fuçi në ditë nga Meksika. Trump vendosi tarifa prej 10% për eksportet e energjisë së Kanadasë në SHBA, nën tarifën prej 25%, që vendoset për produktet e tjera./ Monitor (https://monitor.al/tarifat-e-trump-shkaktojne-renie-te-aksioneve-globale-dhe-forcimin-e-dollarit/)
Më të lexuarat









