Transaksionet e dyshimta: Cilat subjekte do të kenë detyrim për raportim, ja lista e plotë
Qeveria po merr masa për të shmangur pastrimin e parave në vend, duke i shtrirë ato në sektorë që janë konsideruar si problematike në këtë drejtim.
Referuar udhëzimit të Ministrisë së Financave, tashmë do të kenë detyrim që të raportojnë transaksione të dyshimta, edhe subjektet e lojërave të fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme; avokatët, noterët dhe profesionet e tjera; agjentët e pasurive të paluajtshme, çdo person fizik ose juridik; të cilët merren me administrimin e aseteve të të tretëve dhe/ose drejtimin e veprimtarive të lidhura me to; ndërtimet; biznesin e metaleve e të gurëve të çmuar; marrëveshjet e garancitë financiare; shitblerjen me ankand të sendeve me vlerë 1 milionë lekë ose më shumë; shitblerjen apo ndërmjetësimin e veprave të artit me vlerë mbi 1 milionë lekë pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën, sigurimin dhe administrimin e parasë fizike ose titujve lehtësisht të konvertueshëm, në emër të personave të tretë; veprimtaritë e spedicionit dhe/ose të transportit; tregtimin e mjeteve motorike tokësore, lundruese dhe ajrore; agjencitë e udhëtimit.
Po ashtu ka detyrim raportimi, çdo individ, person fizik apo juridik, që tregton mallra apo shërbime që kryen apo pranon pagesa në para fizike në një shumë prej 1 milionë ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura; audituesit ligjorë, kontabilistët e miratuar, këshilltarët tatimorë, si dhe çdo person tjetër që merr përsipër të ofrojë drejtpërdrejt apo nëpërmjet personave të tjerë me të cilët ai person ka lidhje ndihmë materiale, asistencë apo këshillim për çështje tatimore, si biznes kryesor apo veprimtari profesionale.
Subjektet kanë si detyrim të marrin masat e vigjilencës së duhur, të krijojnë profilin e rrezikut për klientët si dhe të marrin masa të vigjilencës së zgjeruar për të konstatuar çdo lloj transaksioni të dyshimtë.
Subjektet duhet të ruajnë dokumentet që rrjedhin nga procesi i vigjilencës së duhur dhe asaj të zgjeruar, të dhënat e llogarive, transaksioneve, korrespondencën me klientin, si dhe rezultatet e analizave të kryera për 5 vjet nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit.
Raporti i aktivitetit të dyshimtë” (RAD) është formulari me anë të të cilit subjektet raportojnë tek autoriteti përgjegjës për çdo transaksion dhe aktivitet të dyshimtë.
Ky formular plotësohet nga subjektet, për rastet kur e dinë apo dyshojnë se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet pastrimi i produkteve të veprës penale apo financimi i terrorizmit, apo fondet e përfshira rrjedhin nga veprimtari kriminale. Raportimi bëhet me anë të formularit (RAD) menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë. /Scan