Secondary Adv

Ndryshon deklarata e mbajtjes së tatimit në burim nga qiraja, DPT publikon detajet

Ndryshimet në ligjin e ri të “Tatimit mbi të Ardhurat” kanë sjellë dhe ndryshime në deklaratën e Tatimit në Burim.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se deklarata e tatimit të mbajtur në burim do të ndahet në dy seksione, si: për tatimpagues rezident ose jorezident me seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë dhe tatimpagues person fizik/entitet jorezident në Republikën e Shqipërisë.

 

Deklarata përfshin të dhënat identifikuese të subjektit apo individit të cilit i mbahet tatimi.

 

Afati i deklarimit dhe pagesës për tatimin në burim është data 20 e muajit pasardhës.

 

Sipas nenit 58 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, objekt i mbajtjes së tatimit në burim, kundrejt detyrimit tatimor përfundimtar, kur i paguhen një tatimpaguesi rezident ose një selie të përhershme në Republikën e Shqipërisë të një tatimpaguesi jorezident, janë të ardhurat dhe pagesat:

 

a) dividendët;

b) interesat;

c) honoraret;

ç) të ardhurat nga lojërat e fatit;

d) të ardhurat nga qiradhënia vetëm kur i paguhen individit.

 

Janë subjekt i mbajtjes përfundimtare të tatimit në burim kur paguhen nga një tatimpagues rezident apo një seli e përhershme në Republikën e Shqipërisë për një person fizik jorezident ose një entitet jorezident pa një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë:

 

a) dividendët, interesat dhe honoraret;

b) fitimet nga lojërat e fatit;

c) pagesat e shërbimeve, përveç shërbimeve të marra fizikisht jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

ç) shërbimet e sigurimit;

d) tarifat për pjesëmarrjen në bordet drejtuese dhe këshillat ose trupa drejtues të tjerë;

dh) pagesat për ndërtime, instalime, montime ose punë mbikëqyrëse të lidhura me to;

e) pagesat për performancën e aktorëve, muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla të bëra për personat që punësojnë artistë ose sportistë ose që veprojnë si ndërmjetës në organizimin e shfaqjeve apo performancave.

 

Nuk janë objekt i mbajtjes të tatimit në burim të ardhurat nga interesat që u paguhen bankave dhe institucioneve të tjera financiare.

 

Norma e mbajtjes së tatimit në burim mbi dividendët është 8%. Norma e tatimit të mbajtur në burim mbi të ardhurat dhe pagesat sipas nenit 58 të këtij ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” është 15%.

 

DEKLARATA E TATIMIT NË BURIM

Tatimpagues rezident ose jorezident me seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë

 

-Subjekti që bën deklarimin zgjedh nëse përfituesi i pagesës është subjekt i regjistruar me NIPT (person fizik, entitet )ose individ

-Për individ plotësohet NID

-Për subjekt plotësohet NIPT

-Nëse NID ose NIPT janë gabim, sistemi njofton për pasaktësinë

-Për pagesat ndaj më shumë se 1 individi, për të njëtin tatim mund të shtohen ose hiqen pagesat për secilin përfitues

-Përjashtim bëjnë pagesat për institiucionet bankare dhe financiare

 

Tatimpagues person fizik/entitet jorezident në Republikën e Shqipërisë

 

-Tatimpaguesi që deklaron pagesën, zgjedh nëse përfituesi është individ apo subjekt i huaj i regjistruar (person fizik ose entitet)

-Për individ plotësohen manualisht NID, emri, mbiemri dhe shteti i rezidencës.

-Për subjekt i huaj, i regjistruar plotësohen manualisht numri i identifikimit, emri i subjektit dhe shteti i rezidencës.

-Sistemi nuk kryen verifikime për të dhënat e individëve dhe subjekteve të huaja.

-Për shumë përfitues të të njëjtit lloj tatimi në burim, mund të shtohen/hiqen pagesat për secilin përfitues.

-Përjashtim bëjnë pagesat për institucionet bankare dhe financiare.

 

/Monitor (https://monitor.al/ndryshon-deklarata-e-mbajtjes-se-tatimit-ne-burim-nga-qiraja-honoraret-e-kengetareve/)


Më të lexuarat