2.83 mld lekë për bypassin e Sarandës, segmenti i ri 3.5 km, ARRSH gati tenderët
Ndërtimi i bypassit të Sarandës parashikohet të kushtojë rreth 2.83 mld lekë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të hapë tenderët e ndarë në 2 faza, për kompanitë që do të kryejnë punimet për këtë aks rrugor. Fondi limit për fazën I është 2 mld lekë, ndërsa për fazën II, rreth 833 mln lekë.
Parashikimi për zhvillimin e këtyre tenderëve vjen pas procedurave prokuruese të vitit që shkoi për studimin dhe projektimin e bypassit të Sarandës.
Në dokumentet e tenderit për studimin e kësaj vepre rrugore specifikohej se projekti duhet të përfshinte ndërtimin e një segmenti të ri rrugor që lidh Qafë Gjashtën me rrugën nacionale, Sarandë – Himarë, duke lënë të hapur zhvillimin e mëtejshem drejt lidhjes me rrugën Kardhiq – Delvinë – Sarandë dhe Rrugën e Bregut.
Segmenti i ri prashikohet të ketë një gjatësi prej afërsisht 3.5 km, duke përfshirë segmente rrugore me karakteristika urbane ose interurbane, përfshirë një tunel me gjatësi afersisht 800-900 m.
Ndërtimi i këtij aksi pritet të zgjidhë problematikën e trafikut që krijohet gjatë sezonit veror. Sipas ARRSH, Saranda është një nga qytetet më të rëndësishme të turizimit bregdetar në Shqipëri dhe përjeton një katërfishim të popullsisë në sezonin veror me një trend gjithnjë në rritje.
Ndërkaq, edhe në buxhetin e vitit 2025 janë parashikuar fonde për ndërtimin e kësaj rruge. Në total fondi i vënë në dispozicion për këtë vit është 680 mln lekë. /Scan