Mbyllja e TikTok, AKEP kërkesë kompanive të internetit: Bllokoni aksesin
TikTik do të mbyllet në Shqipëri, ndërsa sipas shifrave, përdoruesit shqiptarë në këtë aplikacion, llogariten në 1.5 milion.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike, i kanë kërkuar kompanive të internetit, të marrin masa për bllokimin e aksesit në TikTok në territorin shqiptar.
Konkretisht, kompanitë e internetit duhet të bllokojnë IP e TikTok në Shqipëri.
"Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
1. Bllokimi i IP-ve të Tik Tok në territorin e Shqipërisë.
2. Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë.
3. Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të Tik Tok në territorin e Shqipërisë.
4. Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.
Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.
Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 "Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 "Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm", çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.
Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së dhe kërkojmë nga secili sipërmarrës (ISP), konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesir IP-ve dhe donjaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025", thuhet në dokument.
Më 15 mars, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër vendimit të qeverisë për të bllokuar TikTok, masë që u ndërmor për sigurinë e fëmijëve, ndërsa platforma pritet të rihapet sërish në momentin e parë që kompania do të garantojë filtra për të mbrojtur të rinjtë nga videot me mesazhe dhune. /Shqiptarja