Secondary Adv

Rritet numri i ndërmarrjeve të vogla e të mesme në vitin 2023, bien ndërmarrjet e mëdha

Bizneset shqiptare nuk po arrijnë që të rriten në kompani të mëdha e të mirëstrukturuara, duke e lënë ekonominë të varur nga mikrondërmarrjet.

Rritet edhe më shumë varësia e ekonomisë ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, për vitin 2023, ka patur një rritje të mëtejshme të numrit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), ndërkohë që ndërmarrjet e mëdha shënuan rënie, duke zbritur nga 181 në vitin 2022, në 168 në vitin 2023. Sipas përkufizimit, ndërmarrjet e mëdha klasifikohen ato biznese që kanë mbi 250 të punësuar.

 

Kështu, në vitin 2023, 99,9% e ndërmarrjeve aktive janë NVM nga 99,8 % që ishin në vitin 2022. Në anën tjetër, kontributi i këtyre ndërmarrjeve në rritjen e përgjithshme të të punësuarve ka lëvizur shumë pak, në 82,5% e të punësuarve që janë në NMV, nga 82,1% që ishte ky numër në vitin 2022. Sa i përket shitjeve, kontributi është rritur më tej, në 81,3% në vitin 2023, krahasuar me 80,1% që ishte në vitin 2022.

 

Por, sa i përket investimeve të kryera nga NMV-të vihet re një frenim në vitin 2023, ku 73,1% e investimeve janë kryer nga këto ndërmarrjeve, përkundrejt 75,6% që ishte kjo shifër në vitin 2022.

 

Në krahasim me strukturën e ndërmarrjeve të BE-së, në Shqipëri përqindja e NVM-ve është rritur në 99,9 %, ndërsa në BE është 99,85. Ndërsa në aspektet e tjera diferencat janë shumë të mëdha, ku përqindja e të punësuarve në këtë grup ndërmarrjesh është 82,5% në Shqipëri nga 64,2 % në BE, si edhe vlera e shtuar e realizuar nga NVM në Shqipëri përbën 78,2 % nga 48,9 % në BE.

 

Mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e Akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 65,9 %. Ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e Ndërtimit me 29,3%. Ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e Industrisë përpunuese me 39,4 %.

 

Mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të shitjeve neto në sektorin e Akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 50,5%. Ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të shitjeve neto në sektorin e Tregtisë me 32,1%. Ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të shitjeve neto në sektorin e Industrisë përpunuese me 37,1%. /ekofin.al


Më të lexuarat