
Mundësi investimi, rihapet ankandi i obligacioneve 20-vjeçare
Javën e ardhshme, Ministria e Financave do të zhvillojë rihapjen e ankandit të obligacioneve 20-vjeçare.
Shuma e shpallur e obligacioneve në shitje do të jetë një miliard lekë.
Ankandi i javës së ardhshme është rihapje e ankandit të parë të këtyre instrumenteve, që u zhvillua në fund të janarit të këtij viti.
Ankandi i parë tërhoqi interes mjaft të lartë të investitorëve. Nga 1.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 4.26 miliardë lekëve.
Falë kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumë e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.72 miliardë lekësh.
Yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit rezultuan në nivelin 6.78%, poshtë kuponit referencë prej 7% të paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave.
Kërkesa mjaft e lartë në ankand tregon se investitorët janë të interesuar për alternativa më afatgjata investimi dhe për të rritur kthimin e portofoleve të tyre.
Këto instrumente janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në portofole dhe për të rritur kthimet për anëtarët.
Për herë të parë vitin e kaluar, tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare në lekë tërhoqi edhe investitorë institucionalë nga jashtë vendit.
Shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim më afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë.
Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.
Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë.
Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.
Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Zgjatja e maturitetit maksimal të borxhit është në parim një sinjal i forcimit të besueshmërisë së huamarrësit.
Në vitet e fundit, treguesit e borxhit publik janë përmirësuar, falë ecurisë së mirë të ekonomisë pas pandemisë, forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor dhe një politike fiskale më konservatore, me deficite buxhetore më të ulëta.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2024 borxhi publik zbriti në 54.73% të PBB-së, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 57.5% i një viti më parë. Që nga viti 2021, borxhi publik ka rënë me pothuajse 20 pikë përqindje ndaj PBB-së.
Ulja e borxhit bëri që agjencitë kryesore të vlerësimit të kreditit, S&P Global Ratings dhe Moody’s, gjatë këtij viti ta përmirësonin notën e borxhit Sovran të vendit.
Agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” (Standard&Poor’s) në muajin mars 2024 përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran të Shqipërisë nga B+ në BB-, ndërsa në tetor edhe agjencia tjetër Moody’s e përmirësoi vlerësimin nga Ba1 në Ba3.
/Monitor (https://monitor.al/mundesi-investimi-rihapet-ankandi-i-obligacioneve-20-vjecare/)
Më të lexuarat









