
Pas protestës të së shtunës, me 11 prill protesta tjetër kundër shtrenjtimit të energjisë në Kosovë
Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike do të vazhdojë edhe këtë të premte, kanë njoftuar në grupin “Asnjë cent më shumë”.
Vazhdimi i protestës u paralajmërua edhe në fund të protestës së parë që u mbajt të shtunën, ku qindra qytetarë vërshuar sheshin e Prishtinës.
Një numër i madh i qytetarëve kanë protestuar pasditen e së shtunës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Protesta ka nisur nga sheshi “Skënderbeu”, deri te objekti i Ministrisë së Ekonomisë e cila e ka pranuar këtë vendim.
Protesta nisi nën brohorimat “Asnjë cent më shumë”. Në disa pamje të publikuara nëpër rrjete sociale, u pa një numër i mardh i pjesëmarrësve.
Protestuesit mbanin në duar edhe posterë si “gjysma rrogës rrymë” e “nuk jemi bankomat”, transmeton Nacionale.
Në fund, posterët u lanë para objektit të Ministrisë së Ekonomisë, e drejtuar aktualisht nga Artane Rizvanolli, e cila ka bërë edhe deklarata ndaj atyre që kundërshtuan këtë vendim.
“Të dashur qytetarë, më 11 prill ka me u marrë vendimi, mos ta lejojmë këtë masë dhe mos ta lëshojmë prej dore, më 10 prill prap, kah 3, kah 4, kah 10, kah 100 me vete, kjo nuk tolerohet, asnjë cent ma shumë”, tha në fund Dibran Hoxha, i cili ka organizuar disa protesta këto ditë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Kurse gjatë ditsh së sotme në njoftimin e lëshuar kanë treguar për protestën e radhës.
“Njoftimi: Të nderuar qytetarë! Protesta e parë ishte e madhe – të premten e bëjmë edhe më të madhe! ZRRE pritet të marrë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet. E premte, 11 prill 2025. Ora 12:00. Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë Rritja e çmimit të energjisë nuk është vetëm një faturë më shumë,ajo do të pasohet me rritje të çmimeve të ushqimeve, produkteve bazë, shërbimeve dhe kostos së jetesës në përgjithësi. Qytetarët nuk mund dhe nuk duhet të paguajnë për një krizë që nuk e kanë shkaktuar”.
Në një komunikatë të gjatë të publikuar para një jave, Qeveria në detyrë, më konkretisht Ministria e Ekonomisë, pranoi rritjen e tarifave për energjinë elektrike.
Ministria e Ekonomisë ka thënë se “konsideron” që rritja nuk duhet të prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh.
“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kËh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh. Këto, duke marrë parasysh analizat tona të trendeve dhe shpërndarjes së konsumit të cilat i përmbledhim shkurtimisht më poshtë”.
Të premten ndërkaq, presidenca e Kosovës doli haptas me kundërshtim ndaj kësaj rritje.
Përmes një reagimit të gjatë nga presidenca, thanë se po i ndjekin me shqetësim zhvillimet e fundit në vend, të cilat paralajmërojnë një rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike.
“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar poashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale.
Në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët do të ishte në kundërshtim edhe me kornizën ligjore, e cila obligon ZRrE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit (Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë).” – thuhet në reagimin e presidencës.
Propozimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike është kundërshtuar fuqishëm nga qytetarët, opozita, shoqëria civile dhe institucione të caktuara. Një që e tillë po shihet i panevojshme dhe në dëm të qytetarëve.
Individë të ndryshëm, OJQ dhe institucione të caktuara kanë dorëzuar komentet e tyre në ZRRE, ku kanë treguar se si mund të shmanget rritja e tarifave.
Në këto komente, në detaje, tregohen masat që duhet të ndërmerren nga operatorët energjetikë në mënyrë që t`i kursehen qytetarët nga ngritja e serishme çmimit të energjisë elektrike.
KEDS ka kërkuar nga ZRRE që të hyrat maksimale për vitin 2025 t’i ketë përafërsisht rreth 205 milionë euro. Kërkesa për të hyrat maksimale të lejuara për vitin 2025 janë rreth 85 milionë euro më shumë se sa të hyrat e miratuara në vitin 2024 për KEDS-in, që ishin 120.5 milionë euro.
Këto rritje të të hyrave janë arsyetuar me nevojën për import shtesë të energjisë elektrike gjatë vitit 2024, por edhe shpenzimet për personelin e kostot e humbjeve.
Ndërsa Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka kërkuar që të hyrat maksimale të lejuara për vitin 2025 t’i ketë rreth 100 milionë euro, apo rreth 20 milionë euro më shumë se të hyrat e miratuara nga ZRRE në vitin 2024, të cilat kanë qenë 78.7 milionë euro.
Për shkak të krizës energjetike në vitin 2022 dhe rritjes së çmimit të importit të energjisë elektrike, ZRRE kishte rikthyer bllok-tarifën dhe kishte shtrenjtuar rrymën. Rritja e çmimit të energjisë i kishte prekur kryesisht ata që kanë konsumuar më shumë se 800 kilovatë.
Në vitin 2023 sërish ishte shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike, pasi ZRRE kishte vendosur që tarifat e energjisë elektrike të ishin më të larta për 15%.
Në vitin 2024, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të datës 02.04.2024, bizneset kanë pasur ulje prej 3% të tarifave të energjisë elektrike deri në miratimin e tarifave të reja në vitin 2025./Monitor(https://monitor.al/pas-protestes-te-se-shtunes-me-11-prill-protesta-tjeter-kunder-shtrenjtimit-te-energjise-ne-kosove/)
Më të lexuarat









