Zgjedhjet e 11 majit, Partit politike nisin sot zyrtarisht fushatën elektorale
Subjektet politike, që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit nisin sot fushatën elektorale.
Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të nisin rrugëtimin mbrëmjen e sotme në orën 19.00 në sheshin “Nënë Tereza” të Tiranës.
Ndërkohë, Partia Socialiste, që kërkon mandatin e katërt qeverisës ka përzgjedhur sheshin “Skënderbej”. Ka qenë vetë kryeministri dhe kreu i kësaj force politike, Edi Rama, i cili një ditë më parë ka njoftuar datën 12 prill, ora 12.00 për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE dhe fokusit te integrimi evropian.
“Koalicioni Euroatlantik”, me drejtues politik Lulzim Bashën do të hapë fushatën më 12 Prill, në orën 11:00, në një restorant privat pranë Tiranës. Partia “Mundësia” çel fushatën të dielën ora 17.00 tek Pallati i Kongreseve. Nisma “Shqipëria Bëhet” do të hapë fushatë në Vlorë më 12 prill, ora 18:00, në sheshin para stadiumit “Flamurtari”. Ndërsa, “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier ora 10:30 te Teatri Bylis.
Për 140 mandatet e Kuvendit, çdo forcë apo koalicion, sipas formulës së re elektorale, ka 186 kandidatë për deputetë, ku 46 janë nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur.
Risi e këtyre zgjedhjeve është votimi për herë të parë e diasporës. Zyrtarisht janë regjistruar për të votuar 245,935 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, pjesa më e madhe të cilëve në Itali, Greqi dhe Gjermani.
Ndërkohë, pak ditë më parë Ministria e Brendshme publikoi listën përfundimtare të zgjedhësve për votuesit brenda vendit.
Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 zgjedhës votojnë për herë të pare, 1,081 shtetas të papërfshirë, për shkak të dekriminalizimit. Ndërsa, 5,225 është numri i qendrave të votimit./Scantv