Secondary Adv

Energjia elektrike shtrenjtohet në Kosovë, qytetarët dalin në protestë

Pas vendimit për shtrenjtimin e rrymës, qytetarët protestuan sërish në sheshin e kryeqytetit, vetëm pak orë pas miratimit nga Rregullatori.


Zyra e Rregullatorit për Energji ka vendosur për shtrenjtim të rrymës të premten. E vetëm pak orë pas miratimit, qytetarët janë mbledhur në shesh të kryeqytetit për të protestuar për herë të dytë kundër vendimit.

 

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetik për të hyrat e lejuara maksimale të premten.

 

Derisa anëtarët e ZRRE-së nuk treguan për sa për qind do të rritet çmimi i rrymës me tarifat e reja, raportohet se rritja do të jetë deri në 16 për qind.

 

ZRRE-ja tha se do të njoftojë për përqindjen e rritjes së çmimit të rrymës në ditët në vijim.

 

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

 

ZRrE ka aprovuar për KOSTT-in të hyrat maksimale të lejuara në e vlerën e 88 milionë e 198 mijë eurove.

 

Kurse për KESCO-n të hyrat maksimale janë 435.9 milionë euro.

 

Pas miratimi të këtyre raporteve, Kryesuesi i Bordit të Zyrës Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, ka kërkuar nga gazetarët që të lirojnë sallën.

 

“Meqenëse tani kemi piken për shqyrtimi i Ankesave të Konsumatorëve, i kisha lutur të gjitha mediat me na mirëkuptu, për shkak të privatësisë kalojmë në seancë të mbyllur dhe vazhdojmë me pika tjera të rendit të ditës”.

 

Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në një protestë të organizuar nga grupi “Asnjë Cent ma Shumë”, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

 

Me pankarta në duar “Mbroj familjen tënde-protesto”, Qytetarët nuk janë bankomat”, “Nuk paguajmë për dështimet tua”, etj, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj kërkesës së kompanive energjetike për rritjen e tarifave të rrymës.

 

Besnik Shabiu nga nisma “Asnjë cent ma shumë” ka thënë se kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër nga zyrtarët e ZRRE-së.

 

“Ekspertët e grupit kanë filluar përgatitjen e padisë. Ne nuk do të tërhiqemi. Do të mblidhemi përsëri e përsëri deri të arrijmë qëllimet tona”, ka thënë ai.

 

Ali Sefaj, aktivist tjetër nga grupi organizator, ka thënë se padinë do ta dorëzojnë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

 

“Ai vendim që e ka marrë ZRRE-ja do të mbetet në sirtar, pasi është i paligjshëm”, ka thënë ai tek ka njoftuar se padia do të dorëzohet të martën.

 

Ndryshe, kjo është protesta e dytë e organizuar nga grupi “Asnjë Cent ma Shumë”, për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës në vend.

 

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

 

Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të javën e kaluar.

 

Qeveria në detyrë i ka bërë thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.

 

Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

 

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

 

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.

 

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

 

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

 

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla./Monitor(https://monitor.al/energjia-elektrike-shtrenjtohet-ne-kosove-qytetaret-dalin-ne-protesta/)


Më të lexuarat