INSTAT: Aktivitetet profesionale, me rritjen më të madhe në ekonomi në tre dekadat e fundit
Nga të gjitha aktivitetet ekonomike që formojnë Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), gjatë tre dekadave të fundit është rritur ndjeshëm kontributi i “Aktivitete profesionale, shërbime mbështetëse”.
Ky aktivitet ekonomik përfshin përgjithësisht profesionet e lira, avokatë, ekonomistë, kontabilistë, shërbime profesionale, dentistë, konsulenca, aktivitete të arkitekturës, inxhinierisë, etj.
Sipas të dhënave të INSTAT, aktivitetet profesionale kontribuuan me 0.93% në PBB-më totale në vitin 1995, teksa vitin e kaluar, pesha e këtij grupi arriti në 7.4% të PBB-së.
Aktivitetet profesionale kishin rritjen më të madhe të peshës së tyre në ekonomi në raport me degët e tjera të mëdha të ekonomisë, të tilla si bujqësia dhe tregtia.
Shqipëria doli nga regjimi ekonomik me një cikël ekonomik tërësisht të mbyllur ku ofruesi i vetëm i shërbimeve dhe mallrave ishte shteti. Me përfshirjen e vendit në ekonominë e tregut, nisi sipërmarrja e lirë dhe pesha e sektorit privat në ekonomi filloi të rritej dhe bashkë më të edhe profesionet e lira.
Nevoja për shërbime avokatie, noterie, konsulenca, auditim, etj., u rrit ndjeshëm vit pas viti, duke zgjeruar ndjeshëm peshën e këtyre aktiviteteve në ekonominë e vendit.
Shërbimet profesionale vit pas viti bëhen gjithnjë e më të kërkuara duke u shndërruar një zë më peshë në ekonomi. Vitet e fundit shumë nga aktivitetet profesionale u nxitën nga ndryshimi i modelit ekonomik të vendit
Rritja e sektorit të ndërtimit vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm kërkesë për shërbime profesionale të tilla si projektim, arkitekture, inxhinieri, konsulencë, etj.
Sektori i turizmit gjithashtu ka nxitur edhe një seri aktivitetesh profesionale të tilla si shërbimet e pastrimit, kontabilitetit dhe guidave turistike, studime të tregut, konsulenca e etj.
Prej me më shumë se 34 vitesh në ekonominë e tregut bizneset po marrin shërbime jashtë kompanisë. P.sh. departamentet e marketingut bëhen me agjenci. Në vend që të punësojnë juristë, bizneset paguajnë zyra juridike për përfaqësim. Gjithashtu, çështjet e ndërlikuara të pronësisë kanë rritur kërkesën për shërbime juridike.
Gjithashtu në dekadën e fundit, për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, është rritur ndjeshëm kërkesa për kujdestar shtëpie etj.
Të dhëna të krahasueshme tregojnë se Aktivitete Profesionale në Shqipëri kanë peshë më të lartë në PBB se në vendet e tjera të Rajonit, me përjashtim të Serbisë e Malit të Zi./Monitor(https://monitor.al/aktivitetet-profesionale-me-rritjen-me-te-madhe-ne-ekonomi-ne-tre-dekadat-e-fundit/)