2024, kontributi i ndërtimit në ekonomi arrin nivelin më të lartë që nga 2013
Pesha e ndërtimit në ekonominë e vendit po rritet vit pas viti, duke e bërë atë gjithnjë e më shumë dominues në ekonomi.
Në vitin 2024 sektori i ndërtimit zuri 12.5 % të PBB-së, niveli më i lartë që nga viti 2013. Në anën tjetër bujqësia sektori historikisht me peshën më të madhe në ekonomi zuri 15.5% të PBB-së në vitin 2024, niveli më i ulët që nga 2009-ta.
Gjithashtu kontributi i industrisë u ul në 9,9% të PBB-së më 2024 niveli më i ulët që nga 2009-ta. Siç shihet gjatë dekadës së fundit ekonomia e vendit po ikën nga sektorët prodhues duke u riorientuar drejt ndërtimit dhe tregtisë.
Rënia për tre vite rresht e sektorit të bujqësisë po redukton peshën e saj në ekonomi dhe nga ana tjetër vala e objekteve të reja në Tiranë dhe bregdet do të rrisë më tej kontributin e ndërtimit në ekonomi vitet në vijim.
Zhvillimet e tre dekadave të fundit kanë treguar se pesha e bujqësisë në ekonomi thuajse është përgjysmuar nga 33 për qind në vitin 1995 nga pak më shumë se 15% në vitin 2024.
Kontributi i ndërtimit në ekonominë e vendit ka qenë me luhatje në dekadat e fundit. Në vitet 2003-2009 ndërtimi ishte dega kryesore e ekonomisë. Në këtë periudhe pati një lulëzim të sektorit bankar me hapjen e bankave private, të cilat kredituan masivisht blerjen dhe ndërtimin e pasurive të paluajtshme.
Sektori bankar u ekspozua shumë ndaj ndërtimit duke humbur një pjesë të kredive që ende edhe sot nuk janë pastruar nga llogaritë.
Vitet e fundit sektori i ndërtimit po rriten peshën në ekonomi, teksa bankat po ri-përfshihen në kredi dhënie, pas një pauze disa vjeçare.
Gjithashtu, Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku bujqësia ka peshën më të madhe në ekonomi dhe pavarësisht këtij fakti vendi është importues neto i prodhimeve bujqësore. Ekonomia shqiptare vuan nga mungesa e sektorëve me vlerë të lartë dhe ato të bazuar në inovacion.
Bota është duke përjetuar aktualisht revolucionin teknologjik dhe shtetet janë vënë në garë për të nxitur sipërmarrjen drejt novacionit, ndërsa Shqipëria po riorienton ekonominë drejt aseteve fikse në pasuri të paluajtshme, pa vlerë të shtuar në ekonomi.