Skema Kombëtare e Mbështetjes në bujqësi, hapen aplikimet, afat deri në 30 maj
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën me dije se sot janë hapur aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025.
Nga kjo skemë mund të përfitojnë fermerët individualë, grupimet e fermerëve, të cilët do të përfitojnë 100% të vlerës së aplikuar, personat fizikë e juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.
Fermerët mund të aplikojnë deri më 30 maj për të përfituar nga masat mbështetëse, ku përfshihen:
- Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të gjedhëve;
- Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të të imtave;
- Mbarështim i bletarisë;
- Mbështetje për fara, fidanë dhe inpute të tjera;
- Mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike; mbështetje për fermat organike;
- Certifikimi Global GAP;
- Mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi, synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisë prodhimin vendas dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg.
Njëkohësisht, risa këtë vit konsiston në masat e financimit për të gjithë fermerët dhe blegtorët, për të gjithë ata që mbarështojnë viça për majmëri. Masa financiare për viçat do të jetë 5 mijë lekë për krerë, ndërsa mbështetja me financim për lopët do të jetë 10 mijë lekë për krerë.
Sipas njoftimit nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania, nga data 14 prill, ora 08:00 deri më 30 maj, ora 24:00. /Scan