Nis dërgimi i fletëve të votimit për diasporën, KQZ: Zarfet e para për Dibrën dhe Beratin
Ka nisur dërgimi i zarfeve bashkë me dokumentacionin zgjedhor për votuesit e regjistruar në diasporë për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas informacioneve nga KQZ, janë nisur fletët e votimit për votuesit e qarkut të Dibrës dhe të Beratit, ndërsa janë përgatitur paketimet përrreth 26 mijë votues. Ndërkohë, për këtë proces janë rreth 120 persona të cilët punojnë me tre turne pranë qendrës për votimin nga jashtë.
Si fillim, fleta e votimit e cila është e përcaktuar në qarkun nga vjen qytetari, pasi është vulosur dhe futur në zarfin A, më pas futet në një zarf më të madh B, i cili mban të dhënat e koduara të çdo zgjedhësi.
Kompania postare, merr zarfin B, e vendos në zarfin e verdhë të postës, bashkë me udhëzuesin, një listë me kontakte të kompanisë nëpër botë si dhe një tjetër zarf postar kthimin e votës.
Zarfet e paketuar në një punë zinxhir mes punonjësve të KQZ dhe të kompanisë postare, transportohen dhe futen në thasë me kode sigurie, të ndarë sipas shteteve. Çdo ditë avioni i DHL do të fluturojë nga Tirana në Lajpcing të Gjermanisë, aty ku kompania i shpërndan në mbarë botën.
Zarfet e Beratit dhe Dibrës janë nisur kryesisht në Itali e Greqi dhe pritet që të jenë në duart e votuesve brenda kësaj të marte. Në përfundim janë edhe zarfet për votuesit e qarkut Durrës e më pas me radhë, do të dërgohen çdo ditë të gjitha pakot që do të jenë gati.
Më herët Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka publikuar udhëzuesin për procedurën e votimit për të gjithë emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë.
I gjithë procesi zhvillohet në përputhje me vendimet e Komisionit Rregullator dhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe është plotësisht transparent. Procesi po monitorohet nga përfaqësues të subjekteve zgjedhore, vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas, si dhe përfaqësues të mediave.
Sipas KQZ, ky është një hap shumë i rëndësishëm për garantimin e pjesëmarrjes së bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve në procesin demokratik të vendit. /Scan