42 mld lekë për rrugët, projektet kryesore ku u shpenzuan fondet në 2024
Shpenzimet për infrastrukturën rrugore arritën në 42 mld lekë gjatë vitit 2024 apo 100% e fondeve të planifikuara për këtë qëllim.
Sipas të dhënave nga Raporti i Monitorimit të Buxhetit fondet përfshijnë si kontratat e mirëmbajtjes së rrugëve, ashtu edhe projektet për ndërtimin apo rehabilitimi i tyre.
10.9 mld lekë e fondit të shpenzuar ka shkuar për ndërtimin e rrugëe të tipit A me 4 korsi. Disa nga objektet e rëndësishme, që përfshihen në këtë kategori janë disa nga lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, që u hap për qarkullim në fund të vitit që shkoi si dhe zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës, faza I dhe II.
Sa i takon ndërtimit të rrugëve të tipit B me 2 korsi, 2 projektet kryesore janë rruga Kardhiq - Delvinë dhe zgjerimi i rrugës Elbasan - Qafë Thanë.
Ndërkohë, për rrugët tip C2 me dy korsi, disa projekte të financuara janë: Ndërtimi i rrugës Palasë – Dhërmi, Korçë – Ersekë, rruga lidhëse e autostradës Milot - Morinë me Aeroportin e Kukësit, zgjerimi i rrugës së Ksamilit apo ndërtimi i rrugës lidhëse së Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me autostradëm Fier - Vlorë.
Po ashtu, sipas raportit të monitorimit, 762 mln lekë janë shpenzuar për ndërtimin e rrugës Porto Romano – Durrës.
Shpenzimet të tjera përfshijnë eleminimin e pikave të zeza, që janë burim aksidenti, përmirësimin e sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore, si dhe 52 kontratat për administrimin dhe mirëmbajtjen e 3606.5 km rrugë të rrjetit kombëtar. /Scan