Secondary Adv

Rriten çmimet në prill, inflacioni arrin në nivelin më të lartë në 14 muaj

Indeksi i Çmimeve të Konsumit për muajin Prill të këtij ka shënuar një rritje vjetore prej 2.3%, nga 2.1% që ishte një vit më parë.

Çmimet në muajin prill kanë shënuar një rritje përtej tendencës sezonale, teksa zakonisht në këtë periudhë fillojnë e ulen për shkak të daljes së prodhimeve vendase.

 

Këtë vit, ecuria negative e sektorit të bujqësisë dhe çuarja e një pjesë të prodhimit kanë bërë që inflacioni të arrijë në 2.3% në prill, që është niveli më i lartë në 15 muaj, që nga marsi i vitit 2024, i ndikuar kryesisht nga çmimet e ushqimeve. Gjithsesi, ai vijon të mbetet poshtë objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

 

Banka e Shqipërisë ndërkohë në mbledhjen e fundit vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në 2.75%, që është instrumenti i Bankës për të kontrolluar inflacionin, ndërsa guvernatori paralajmëroi se ekonomia ka shfaqur tendenca ngadalësimi në tre muajt e parë të vitit.

 

Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2025, arriti 119,8 kundrejt muajit Dhjetor 2020. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2025 është 2,3 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2025, krahasuar me Mars 2025 është 0,1 %.

 

Rritja nga ushqimet

 

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,29 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,24 pikë përqindje.

 

Gjithashtu, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ndikuan me +0,22 pikë përqindje, “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,14 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,10 pikë përqindje secili.

 

Cmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,03 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Transporti” me -0,16 pikë përqindje.

 

/Monitor (https://monitor.al/ska-prodhim-vendas-rriten-cmimet-ne-prill-inflacioni-arrin-ne-nivelin-me-te-larte-ne-14-muaj/)


Më të lexuarat