
Ajri nën monitorim më të rreptë; Hyn në fuqi udhëzimi i ri për raportimin e ndotjes
Ajri i ndotur në Tiranë është vlerësuar shpeshherë nga mjekët si një ndër faktorët që po ndikon negativisht në shtimin e sëmundjeve respiratore dhe alergjike tek të rriturit dhe fëmijët.
Matjet për vlerësimin e cilësisë së ajrit, mungesa e monitorimeve periodike apo evidentimi i shkaktarëve kryesorë të ndotjes, informacione që ndihmojnë për të marrë masa me qëllim përmirësimin e ajrit që thithim çdo ditë apo besueshmëria e të dhënave mbetet një sfidë për Shqipërinë.
Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i Ministrisë e Turizmit dhe Mjedisit “Për miratimin e formatit që do të përdoret për raportimin vjetor për vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis”, ku përcaktohet formati që do të përdoret nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për raportimin vjetor për vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis.
Udhëzimi është i ndarë në 9 kapituj, ku synon të përmirësojë metodikën e përdorur për matjen dhe vlerësimin e të dhënave të cilësisë së ajrit apo krahasimin e tyre ndër vite me qëllim marrjen e masave konkrete.
Në kapitullin e parë udhëzimi përcakton projektimin gjithëpërfshirës së matjes së cilësisë së ajrit në zonat urbane, duke nisur që nga zonat e banimit, industriale, ato me trafik të lartë, zona të mbrojtura ndërkufitare etj.
Më pas të dhënat e grumbulluara të stacioneve të monitorimit duhet që të paraqiten dhe të përpunohen nëpërmjet një programi kompjuterik (software) të përshtatshëm në kohë reale.
Sipas udhëzimit për raportim vjetor të dhënat e grumbulluara nga monitorimi vjetor i çdo ndotësi të ajrit duhet të paraqiten në modelin e një tabele që duhet të përmbajë: zonat dhe aglomeratet; stacionet e mostrimit; indeksin e cilësisë së ajrit (AQI) apo që nga numrin e ditëve më ndotjen më të lartë.
Udhëzimi parashikon gjithashtu mbajtjen e të dhënave ndër vite me qëllim krahasimi për të treguar si ka ndryshuar ndotja ndër vite dhe ekspozimi i popullsisë urbane ndaj grimcave të pluhurit PM10 dhe PM2,5. Pra pas analizimit dhe gjetjes së karakteristikave fiziko-kimike të grimcave, synohet të tregohet efektet negative mjedisore dhe shëndetësore që mund të shkaktohen në shëndetin e popullatës së ekspozuar.
Në mbyllje të tij udhëzimi përcakton se nga të dhënat e rrjetit kombëtar dhe lokal të monitorimit të ajrit do të analizohen ndotësit kryesorë dhe krahasohen me kufijtë e lejuar. Nëse ka tejkalime, ato raportohen bashkë me burimet përkatëse, si p.sh trafiku si ka ndikuar, industria etj.
Gjendja e ajrit do të vlerësohet për çdo zonë dhe qytet të madh (aglomerat), ku më pas do të përpilohet një raport gjithëpërfshirës për gjithë territorin e Shqipërisë. Ky raport vjetor përdoret për të hartuar masa konkrete për përmirësimin dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit në vend.
Udhëzimi si do mbahen të dhënat për vlerësimin dhe monitorimin e cilësisë së ajrit
Projektimi i rrjetit të monitorimit të ajrit në mjedis
Ky rrjet duhet të:
-Mbulojë zonat urbane, industriale, trafik të lartë, të mbrojtura dhe ndërkufitare;
-Përdorë ndarjen territoriale zyrtare në zona dhe aglomerate;
-Tregojë koordinatat gjeografike të çdo stacioni matës;
-Paraqesë shpërndarjen hapësinore të stacioneve në mënyrë të qartë (preferohet grafik ose hartë);
-Grumbullojë të dhëna edhe për kushtet meteorologjike, duke përdorur softëare për përpunim në kohë reale.
Bazuar në legjislacionin kombëtar, modeli i tabelës së paraqitjes për raportimin vjetor të të dhënave të vlefshme të arritura, të grumbulluara nga monitorimi vjetor i çdo ndotësi të ajrit në mjedis duhet të përmbajë:
-zonat dhe aglomeratet;
-stacionet e mostrimit;
-indeksin e cilësisë së ajrit (AQI);
-vlerat e përqendrimit vjetor të gjetura;
-dhe numrin e ditëve që janë tejkaluar vlerat e kritereve të pranueshme të përcaktuara në kapitullin II.
Raporti duhet të përfshijë një tabelë standarde për çdo ndotës të ajrit, ku të jepen:
-periudha mesatare;
-vlera e pragut;
-numri maksimal i tejkalimeve të lejuara në vit kalendarik;
-vlera e tolerancës (vlerën e pragut + kufirin e tolerancës);
-pragu i ulët i vlerësimit;
-pragu i sipërm i vlerësimit;
-efektet në njerëz;
-efektet në bimësi./Monitor(https://monitor.al/ajri-nen-monitorim-me-te-rrepte-hyn-ne-fuqi-udhezimi-i-ri-per-raportimin-e-ndotjes/)
Më të lexuarat









