
Investimet shqiptare në Kosovë arrijnë në 468 milionë euro
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë se edhe investimet shqiptare në Kosovë shënuan rritje të lartë vitin e kaluar.
Në fund të vitit 2024, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 468 milionë eurove.
Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i pestë më i madh në Kosovë. Investimet shqiptare në Kosovë u rritën me 26% krahasuar me një vit më parë.
Gjithnjë, sipas BQK-së, sektori që kryeson stokun e investimeve shqiptare në Kosovë kryesohej nga ndërtimi. Stoku i investime në ndërtim vlerësohej në afërsisht 59 milionë euro, ose rreth 13% e investimeve shqiptare në Kosovë.
Vijonte sektori i pasurive të paluajtshme, me 8% të totalit, i ndjekur nga prodhimi, me 7.7% dhe tregtia, me afërsisht 5%.
Megjithatë, në strukturën e investimeve shqiptare mungojnë shifrat për investimet në sektorin financiar dhe energjetik, që janë të mbrojtura nga rregulli i konfidencialitetit në statistika.
Kjo ndodh zakonisht në rastet kur publikimi i shifrave mund të zbulojë të dhëna për investitorë të veçantë.
Investimet e huaja, gati 1.6 miliardë euro në 2024
Investimet e Huaja Direkte u rritën përsëri për vitin 2024 dhe arritën një rekord të ri historik. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato shënuan vlerën e 1.58 miliardë eurove, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë.
Edhe për vitin e kaluar, rritja e Investimeve të Huaja Direkte u përcaktua kryesisht nga komponenti i fitimit të riinvestuar të investitorëve ekzistues.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2024 fitimi i riinvestuar arriti në 853 milionë euro, ose pothuajse sa 54% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte. Ato u rritën me 6.3% krahasuar me vitin 2023.
Në vitet e fundit, fitimet e riinvestuara kanë kaluar në vlerë flukset e reja të Investimeve të Huaja Direkte.
Por, rritja e fitimeve të riinvestuara ndikohet pjesërisht edhe nga ecuria e kursit të këmbimit.
Ndërkohë që investimet e reja të huaja në përgjithësi vijnë në valutë, fitimet e riinvestuara të kompanive të huaja janë shifra të raportuara në Lek, që konvertohen në Euro, që është edhe monedha në të cilin raportohet për qëllime statistikash Bilanci i Pagesave.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 100.71 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kursi mesatar i këmbimit të Euros me Lekun ka rënë me 7.4% krahasuar me vitin 2023.
Rritja e ndjeshme e peshës së fitimeve të riinvestuara në strukturën e Investimeve të Huaja Direkte mund të shpjegohet pjesërisht edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit.
Në këtë mënyrë, forcimi i Lekut ka krijuar një rreth vicioz, duke ndikuar statistikisht edhe në rritjen e vlerave të investimeve të huaja.
Ndërkohë, flukset e Investimeve të Huaja Direkte, në formën e injektimit të kapitalit të ri arritën në 708 milionë euro, në rënie me 3.5% krahasuar me një vit më parë.
Rënia e flukseve të reja të kapitalit nga investitorët e huaj mund të jetë një sinjal i frenimit të vazhdueshëm rritës të investimeve të huaja pas pandemisë.
Rritja e Investimeve të Huaja Direkte ishte edhe më e madhe, e shprehur si stok. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të 2024, stoku i Investimeve të Huaja Direkte arriti në 15.4 miliardë euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë.
Turqia thyen dominimin e Holandës
Turqia ishte investitori i huaj kryesor në Shqipëri vitin e kaluar.
Për vitin 2024, investimet e kompanive me kapital turk arritën vlerën e 257 milionë eurove, me një rritje prej 44% krahasuar me një vit më parë.
Stoku i investimeve turke, në fund të vitit 2024, ka arritur në 1.3 miliardë euro, në rritje me 23% krahasuar me një vit më parë.
Ndërmarrjet turke kanë rol të rëndësishëm në disa sektorë të ekonominë shqiptare, sidomos në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse apo edhe në ndërtim.
Vlera e investimeve të huaja përfshin jo vetëm flukset e reja, por edhe fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve ekzistuese. Ky zë ka fituar një peshë në rritje gjatë viteve të fundit në strukturën e Investimeve të Huaja Direkte.
Pas Turqisë, investitori i dytë më i madh për vitin 2024 ishte Italia, me një fluks total prej 200 milionë eurosh. Investimet italiane kanë pësuar rënie të lehtë me 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.
Stoku i investimeve italiane në fund të vitit 2024 arriti në 1.68 miliardë euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë.
Rritja në stokun e investimeve nuk lidhet vetëm nga flukset e reja (që ishin në rënie), por në të llogariten edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera.
Bazuar në metodologjitë e përdorura për matjen e investimeve të huaja, flukset e reja vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës.
Gjithashtu, stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve.
Pasi kryesoi investimet e huaja për pesë vite radhazi, Holanda zbriti në vendin e tretë mes investitorëve të huaj për 2024. Vlera e investimeve holandeze ra në 176 milionë euro, 41% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa stoku i investimeve holandeze ka arritur vlerën e 2.54 miliardë eurove, në rritje me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndër të paktët investitorë të mirëfilltë holandezë në Shqipëri është kompania Shell, që vlerësohet se në vitet e fundit ka kryer investime të mëdha me shpimet në zonën naftëmbajtëse të Shpiragut.
Vitin e kaluar, kjo kompani vendosi të ndërpresë shpimet në puset naftëmbajtëse në vendin tonë dhe ka lënë të kuptohet se me shumë mundësi do të heqë dorë përfundimisht nga kërkimet e naftës në Shqipëri.
Duke përjashtuar Shell, vlerat e larta të investimeve holandeze në vitet e fundit lidhen kryesisht me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.
Holanda preferohet për regjistrimin e kompanive offshore, sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve.
Ai është edhe një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë.
Investitori i katërt më i rëndësishëm vitin e kaluar, për nga vlera e flukseve të reja, ishte Austria, me 119 milionë euro, vlerë kjo e njëjtë me vitin 2023.
Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik dhe në shërbimet e hotelerisë.
Stoku i investimeve austriake në fund të 2024-s arriti në 875 milionë euro, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë.
Rritje të ndjeshme vitin e kaluar shënuan edhe investimet e ndërmarrjeve kosovare, që arritën vlerën e 96 milionë eurove, me një rritje prej 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Stoku i investimeve kosovare raportohet në 422 milionë euro, në rritje me 37% krahasuar me vitin 2023.
Pasuritë e paluajtshme kryesojnë për të tretin vit radhazi
Sipas sektorëve, pasuritë e paluajtshme kryesuan investimet e huaja në ekonominë shqiptare për të tretin vit radhazi. Në 2024, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 325 milionë eurove, në rritje me 17% krahasuar me vitin 2023.
Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse 24% të vlerës totale të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar.
Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri në vitet pas pandemisë po mbështetet në masë të konsiderueshme prej kërkesës që vjen nga investitorët e jashtëm.
Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, pavarësisht rritjes së çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera bregdetare të rajonit.
Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse dhe ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona për qëllime investimi.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të vitit 2024, stoku i investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri arriti në 2.04 miliardë euro, në rritje me 30% krahasuar me një vit më parë.
Në dekadën e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme pothuajse është rritur me 27 herë.
Sektori i dytë për nga pesha specifike kundrejt totalit të Investimeve të Huaja Direkte vitin e kaluar ishin shërbimet financiare. Ky sektor solli investime në vlerën e 287 milionë eurove ose 18% të totalit.
Investimet në këtë sektor u rritën me 20% krahasuar me një vit më parë.
Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, të mbështetura nga fitimet e larta vjetore dhe nga rritja e kërkesave rregullatore për kapital në vitet e fundit.
Stoku i investimeve të huaja në sektorin financiar vlerësohet nga Banka e Shqipërisë në rreth 1.8 miliardë euro.
Vijon industria nxjerrëse, që vitin e kaluar solli investime të huaja në vlerën e 214 milionë eurove, vlerë kjo sa 13.5% e gjithë investimeve të huaja për 2024.
Megjithatë, Investimet e Huaja në industrinë nxjerrëse pësuan rënie me 21% më shumë krahasuar me një vit më parë. Stoku i investimeve të huaja në sektor llogaritet në më shumë se 2.5 miliardë euro.
Investimet në sektorin energjetik për vitin e kaluar u rritën në vlerën e 166 milionë eurove, 4% më shumë krahasuar me vitin 2023. Energjetika dhe në veçanti ajo diellore vazhdon të tërheqë vëmendje të lartë të investitorëve të huaj, por edhe atyre vendas.
Stoku i investimeve të huaja në energjetikë ka arritur pranë vlerës së 3.7 miliardë eurove.
Rritje të Investimeve të Huaja Direkte shënoi edhe industria përpunuese. Investimet e huaja në këtë sektor u rritën në 173 milionë euro, 40% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Investimet e huaja në industrinë përpunuese janë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë, përfshirë degën e industrisë automotive.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte vitin e kaluar arritën një shifër rekord prej 1.58 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik. Vlera e investimeve të huaja u rrit me 5.6% krahasuar me një vit më parë.
/Monitor (https://monitor.al/investimet-shqiptare-ne-kosove-arrijne-ne-468-milione-euro-2/)
Më të lexuarat









