Paga referencë për punonjësit në turizëm, ja si do të kontrollohen strukturat akomoduese, detajet
Gjatë sezonit turistik administrata tatimore do të jetë në terren për t’u siguruar që të gjithë subjektt turistike të paguajnë detyrimet reale të tyre.
Ndërsa sezoni turistik tashmë ka nisur dhe pritet një fluks i lartë turistësh, administrata tatimore do të jetë në terren për t’u siguruar që të gjithë subjektt turistike të paguajnë detyrimet reale të tyre.
Në planin e turizmit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, thuhet se do të kryhet monitorimi i nivelit të shfrytëzimit të strukturave akomoduese si dhe monitorimi mbi baza javore i qarkullimit të tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit, duke përdorur të dhëna nga faturat e fiskalizuara dhe deklaratat tatimore.
Një masë e rëndësishme është përcaktimi i pagave referuese për profesion në sektorin turizëm dhe identifikimi i tatimpaguesve me risk me qëllim deklarimin real të pagesave gjatë kësaj periudhe, kur dihet se ato janë në rritje.
Po ashtu do të mbikëqyret deklarimi i detyrimeve tatimore në përputhje me afatet ligjore, përfshirë TVSH-në, tatimin mbi fitimin dhe tatimin në burim.
Një kompontent i rëndësishëm do të jetë monitorimi i përmbushjes së detyrimeve tatimore përmes pagesave të kryera dhe identifikimi i rasteve të vonesave në shlyerjen e këtyre detyrimeve.
Administrata tatimore do të kryejë analizën e statusit të tatimpaguesve në popullatë (aktivë/pasivë/të regjistruar rishtazi) për të identifikuar ndryshimet strukturore dhe sjelljet fiskale në sektor.
Në fokus do të jetë analiza e tatimpaguesve me sjellje devijante, të tilla si: Dorëzimi i deklaratave me vlera zero, pavarësisht ushtrimit të aktivitetit; Rënie e theksuar e xhiros në krahasim me periudha të mëparshme; Vonesë e përsëritur në përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Si do të do të bëhet krahasimi i të dhënave fiskale përmes:
- Xhiros në faturat e fiskalizuara dhe deklaratave të TVSH-së;
- Qarkullimit mes muajve të njëpasnjëshëm dhe/ose mes viteve të njëpasnjëshëm;
- Xhiros së deklaruar dhe numrit të punonjësve;
- Numrit të punonjësve dhe përgjegjësisë tatimore për TVSH.