
Kosova kufizon marzhin e fitimit për naftën: 2 cent në shumicë dhe 12 cent pakicë
Kosova ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka marrë vendim për caktimin e masave mbrojtëse ndaj çmimeve të produkteve të naftës, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun vendor.
Sipas këtij vendimi, i cili është rezultat i një mbikëqyrjeje të vazhdueshme të tregut të naftës nga ana e Doganës së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, është vërejtur se ndryshimet e çmimeve të furnizimit nga importi shpesh pasqyrohen menjëherë në rritjen e çmimeve të shitjes.
Megjithatë, kur çmimet e furnizimit bien, ato nuk pësojnë një ulje proporcionale në treg.
Për të parandaluar këtë praktikë, MINT ka vendosur të kufizojë marzhën maksimale të fitimit për tregtarët e naftës:
- Shitja me shumicë: deri në 2 euro cent për litër
- Shitja me pakicë: deri në 12 euro cent për litër
Vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe parashikon një mbikëqyrje më të rreptë nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.
Sipas MINT-it, ky vendim synon të krijojë një ambient më të drejtë për konkurrencë dhe të garantojë mbrojtjen e konsumatorëve në tregun e produkteve të naftës në Kosovë.
Bazuar në të dhënat e Doganës, më 21 Qershor çmimi mesatar i importit për një litër naftë pa taksa ishte 57 centë.
Ndërsa, kur në llogaritje hyjnë taksa doganore prej 10%, TVSH-ja 18% dhe akciza që është fikse, 36 centë për litër nafte, çmimi final i importit del se ishte rreth 1 euro e 9 centë për litër.
Marrë për referencë çmimin 1 euro e 32 centë, dallimi me atë të importit del të jetë rreth 23 centë për litër.
Madje, ditën kur nisën sulmet e Izraelit ndaj Iranit, më 13 Qershor, sipas llogaritjeve bazuar në të dhënat e Doganës, një litër naftë hyri në Kosovë për 49 centë, pa taksa.
Me taksa, çmimi final i importit del se ishte rreth 99 centë për litër.
Në të dhënat e Doganës vërehet se çmimi i naftës së importuar nga Arabia Saudite, edhe më 21 Qershor, sillej në rreth 50 centë për litër pa taksa. Ndërsa e asaj nga Greqia sillej rreth 60 centë për litër.
Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka deklaruar se pasi në Lindjen e Mesme kanë filluar të ulen tensionet, edhe në Kosovë çmimet e derivateve kanë filluar të bien shpejt.
Sipas Berjanit, kjo ka ndodhur pasi është arritur marrëveshja për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit.
“Pas marrëveshjes për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, tensionet janë ulur dhe çmimet e naftës kanë filluar të bien. Tregjet nuk po e shohin më si të afërt rrezikun për një luftë të madhe apo mbylljen e ngushticës së Hormuzit, që është rrugë kyçe për furnizimin me naftë. Prodhimi i lartë nga SHBA dhe kërkesa më e dobët nga Kina dhe Europa po e shtyjnë çmimin edhe më poshtë. Por nëse armëpushimi prishet ose ka ndonjë sulm në zonat e naftës, çmimet mund të rriten sërish shumë shpejt”, ka shkruar ai në Facebook.
Berjani ka shkruar tutje se çmimet aktuale në Kosovë janë: Diesel: 1.24€-1.32€ Benzin: 1.23€-1.31€.
/Monitor (https://monitor.al/2-cent-ne-shumice-12-cent-ne-pakice-shteti-ua-kufizon-marzhen-e-fitimit-naftetareve-te-kosoves/)
Më të lexuarat







