Secondary Adv

Përfundon procesi i rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës, asnjë ndryshim në mandate

Nga analiza e rezultateve të rinumëruara, partitë politike kanë humbur vota në krahasim me numërimin fillestar.

Ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1208 kutive të votimit në qarkun e Tiranës, me përjashtim të njësisë nr. 10 dhe Bashkisë Vorë, ku u aplikua sistemi i votimit dhe numërimit elektronik.

 

Sipas rezultateve përfundimtare të rinumërimit, nuk ka asnjë ndryshim në shpërndarjen e mandateve dhe as në renditjen e kandidatëve në listat e hapura.

 

Gjithsesi, nga analiza e rezultateve të rinumëruara, partitë politike kanë humbur vota në krahasim me numërimin fillestar, ku komisionerët politikë kishin konsideruar të vlefshme një numër votash që rezultuan të pavlefshme në verifikim.

 

Humbjet në vota për secilën forcë politike janë si më poshtë:

 

Partia Demokratike – Aleanca për Shpresë dhe Mirëqenie (PD-ASHM): –612 vota

Partia Socialiste (PS): –381 vota

Partia Mundësia: –44 vota

Koalicioni “Shqipëria Bëhet”: –44 vota

Lëvizja Bashkë: –57 vota

 

Ndërkohë, Koalicioni Euroatlantik 2021, i drejtuar nga Lulzim Basha, fitoi 21 vota më shumë pas rinumërimit, të cilat rezultuan si gabime të procesit fillestar të numërimit.

 

Nga procesi i rinumërimit në qarkun Tiranës, Blerina Gjylameti merr 21 vota që i janë hequr nga numërimi fillestar, ndërsa Olta Xhaçkës i zbriten 51 vota. Pavarësisht kësaj, nuk ndryshon mandati që Xhaçka fitoi. Kjo ishte gara më e ngushtë brenda PS në qarkun Tiranë.

 

Ndërsa brenda PD-ASHM, gara ishte mes Ilir Alimehmetit dhe Jorida Tabakut. Nga rinumërimi, Ilir Alimehmetit i zbriten 137 vota, ndërsa Jorida Tabaku i zbriten 250 vota. /Euronews


Më të lexuarat