Nis rinumërimi për Fierin, hapen 587 kuti votimi në të gjithë qarkun
Pas përfundimit të procesit të Tiranës, nis rinumërimi për votat e partive dhe kandidatëve në qarkun Fier.
Ka nisur rinumërimi i votave për partitë dhe kandidatët në qarkun Fier, pas përfundimit të procesit në Tiranë javën e kaluar. Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet po rihapen 587 kutitë për të kontrolluar saktësinë e rezultateve fillestare në këtë qark që prodhon 16 mandate në parlament.
Nga numërimi fillestar, 154 mijë vota u shpallën të vlefshme dhe mbi 5 mijë të pavlefshme. Kërkesa për rinumërimin e Fierit ishte e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, i cili pretendon një mandat, të cilin për t'ja marrë Partisë Socialiste i duhen 517 vota.
Nëse një gjë e tillë ndodh, në Kuvend do të hyjë Azmer Duleviç dhe jashtë nga PS ngel Ramion Kurti.
Zegjine Çaushi rrezikon gjithashtu mandatin pasi ka vetëm 61 vota diferencë me kandidaten tjetër grua në listën e hapur, Mardita Bardho.
Partia “Mundësia” gjithashtu duhet të sigurojë të paktën 519 vota nga rinumërimi dhe t’i marrë PS-së një deputet për të hyrë në parlament.
Në rinumërimin e qarkut të Tiranës, që përfundoi të premten, nuk pati ndryshim rezultati por vetëm lëvizje të vogla votash që u konsideruan gabime njerëzore dhe jo trafikim votash nga KAS. /Shqiptarja