
BE do të pranojë tarifat universale të Trump, por kërkon përjashtime për sektorët kyç
Bashkimi Europian është i gatshëm të pranojë një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Bashkimi Europian është i gatshëm të pranojë një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, që përfshin një tarifë universale 10% mbi shumë nga eksportet e bllokut, por kërkon nga SHBA të angazhohet për norma më të ulëta në sektorë të rëndësishëm si farmaceutika, pijet alkoolike, gjysmëpërçuesit dhe avionët e pasagjerëve.
BE-ja po kërkon gjithashtu nga SHBA kuota dhe përjashtime për të ulur efektivisht tarifat 25% të Uashingtonit për automjetet dhe pjesët e tyre, si dhe tarifën 50% për çelikun dhe aluminin, sipas burimeve të njohura me çështjen.
Komisioni Europian, i cili merret me çështjet tregtare për BE-në, e sheh këtë marrëveshje si në favor të SHBA-së, por megjithatë mund të pranohet.
BE-ja ka afat deri më 9 korrik për të arritur një marrëveshje tregtare me Donald Trump, përpara se tarifat për pothuajse të gjitha eksportet e bllokut drejt SHBA-së të rriten në 50%. Presidenti amerikan ka vendosur tarifa për pothuajse të gjithë partnerët tregtarë, duke thënë se dëshiron të rikthejë prodhimin Brenda kufijve, të financojë zgjatjen e uljes së taksave dhe të ndalojë vendet e tjera nga përfitimi në kurriz të SHBA-së.
Një zëdhënës i Komisionit konfirmoi se një ekip negociator ndodhet në Uashington dhe do t’i bashkohet atyre edhe Komisioneri Europian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, të mërkurën.
“Ne jemi plotësisht dhe thellësisht të angazhuar në negociata, një zgjidhje e negociuar dhe e ndërsjellë mbetet rezultati që ne duam,” tha zëdhënësi. “Në rast se nuk gjendet një rezultat i kënaqshëm, të gjitha instrumentet dhe opsionet mbeten në tavolinë.”
Indeksi S&P 500 humbi menjëherë 12 pikë pas publikimit të lajmit, përpara se të rikuperohej. Indeksi Stoxx Europe 600 u rrit me 0.6%.
“Shpresa për një marrëveshje tregtare midis BE-së dhe SHBA-së po ushqen optimizmin në tregje,” tha Vincent Juvyns, strateg i lartë i investimeve në ING në Bruksel. “Investitorët po e shohin gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh.”
Në vitin 2024, BE eksportoi 52.8 miliardë euro në automjete dhe pjesë këmbimi për SHBA-në, destinacioni i saj më i madh i eksporteve. Blloku eksportoi gjithashtu 24 miliardë euro në çelik dhe alumin drejt SHBA-së, me Gjermaninë, Italinë dhe Francën si eksportuesit kryesorë, sipas të dhënave të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.
BE-ja dhe SHBA-ja janë gjithnjë e më të bindura se mund të arrihet një marrëveshje e përkohshme deri më 9 korrik, që do të lejojë vazhdimin e negociatave përtej afatit. Çdo marrëveshje do të mbulojë barrierat tarifore dhe jotarifore, blerjen e mallrave kryesore amerikane dhe do të marrë në considerate fusha shtesë për bashkëpunim.
Blloku beson se një marrëveshje në parim mbetet skenari më i favorshëm, por zyrtarët nuk kanë mundur të qartësojnë për sa kohë do të zgjasin ndonjë nga këto marrëveshje të përkohshme, meqenëse negociatat vazhdojnë.
Komisioni gjithashtu dëshiron të sigurohet, që tarifat sektoriale aktuale të vendosura nga SHBA, si ato për automjetet dhe metalet, si dhe tarifat e ardhshme që Uashingtoni planifikon, të adresohen menjëherë.
BE-ja synon të trajtojë barrierat jotarifore dhe ka propozuar të eksplorojë blerje strategjike në disa fusha, si gazi natyror i lëngshëm dhe teknologjitë e inteligjencës artificiale. Blloku është gjithashtu i hapur për të bashkëpunuar me SHBA-në në sfida të përbashkëta të sigurisë ekonomike.
BE-ja vlerëson se tarifat amerikane aktualisht përfshijnë mallra në vlerë prej 380 miliardë eurosh, ose rreth 70% të eksporteve të saj drejt SHBA-së.
Komisioni informoi shtetet anëtare se blloku kishte marrë një propozim nga SHBA rreth tarifave, barrierave jotarifore dhe fushave të bashkëpunimit strategjik, thanë burimet.
Zyrtarët kanë identifikuar katër skenarë përpara afatit të javës së ardhshme: një marrëveshje me pabarazi të pranueshme, një ofertë të pabalancuar nga SHBA që BE-ja nuk mund ta pranojë, zgjatje të afatit për negociata, ose tërheqjen e Trump nga bisedimet shoqëruar me rritje tarifash.
Skenari i fundit, sipas tyre, ka shumë gjasa të nxisë BE-në të hakmerret me të gjitha opsionet që ka në dispozicion.
Paralelisht me negociatat, blloku vazhdon të përgatitet për masa për t’u kundërpërgjigjur në rast se bisedimet nuk sjellin një rezultat të kënaqshëm.
BE-ja ka miratuar tarifa për 21 miliardë euro mallra amerikane, që mund të zbatohen shpejt në përgjigje të tarifave mbi metalet, të vendosura nga Trump. Ato synojnë shtete politikisht të ndjeshme në SHBA dhe përfshijnë produkte si soja nga Luiziana, vendlindja e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, si dhe produkte bujqësore, mish pule dhe motoçikleta.
Blloku ka përgatitur gjithashtu një listë shtesë me tarifa për 95 miliardë euro produkte amerikane në përgjigje të tarifave të ashtuquajtura “reciproke” të Trump dhe atyre për automjetet. Ato do të synojnë mallra industriale, përfshirë avionët e Boeing Co., makinat amerikane dhe bourbon.
BE-ja gjithashtu po konsultohet me shtetet anëtare, për të identifikuar fusha strategjike ku SHBA varet nga blloku, si dhe masa të mundshme përtej tarifave, si kontrolli i eksporteve dhe kufizimet në kontratat e prokurimit.
BE-ja, e cila ka kërkuar një marrëveshje të favorshme për të dyja palët, do të vlerësojë çdo rezultat përfundimtar dhe do të vendosë se çfarë niveli asimetrie është e gatshme të pranojë.
/Monitor (https://monitor.al/be-do-te-pranoje-tarifat-universale-te-trump-por-kerkon-perjashtime-per-sektoret-kyc/)
Më të lexuarat







