Secondary Adv

Mbledhja e parë e përbashkët Shqipëri-Itali, firmosen 16 marrëveshje në 8 sektorë

Takim historik në Vilën Doria Pamphili: 16 marrëveshje për bashkëpunim strategjik, mbrojtje, energji, siguri dhe zhvillim ekonomik.

Kryeministri Edi Rama u prit me një ceremoni zyrtare nga homologja italiane Giorgia Meloni në Vilën Doria Pamphili në Romë, në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë.

 

Në këtë takim historik, të cilin Rama e cilësoi si “një tjetër ditë të rëndësishme për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë”, pritet të firmosen 16 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi në fusha kyçe që përfshijnë mbrojtjen, energjinë, migracionin, sigurinë kibernetike dhe zhvillimin ekonomik. Kreu i qeverisë shqiptare shoqërohet nga 10 ministra, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjeve është planifikuar pas takimit dypalësh me Kryeministren Meloni.

 

Bashkëpunim strategjik Shqipëri–Itali

Dy qeveritë do të nënshkruajnë një marrëveshje strategjike që përfshin fusha si kujdesi shëndetësor, energjia, arsimi, diaspora, mjedisi, inovacioni dhe siguria. Një ndër marrëveshjet më të rëndësishme është ajo për grantin që do të mbështesë projektin “Përparimi i Shëndetit Neonatal dhe të Nënës në Shqipëri (ANMA)”. Po ashtu, do të firmoset një memorandum për bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike ndërmjet ministrive të jashtme të dy vendeve, si dhe marrëveshje për forca të mbrojtjes dhe sigurisë civile.

 

Marrëveshje në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

Paketa përfshin marrëveshjen kuadër për bashkëpunimin në mbrojtje dhe disa dokumente teknike që parashikojnë transferimin e dy motovedetave italiane për Rojën Bregdetare Shqiptare. Po ashtu, parashikohet bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes përmes nënshkrimit të memorandumeve mes kompanive shqiptare KAYO sh.a. dhe gjigantëve italianë Fincantieri dhe Leonardo S.p.A., duke hapur rrugën për projekte të përbashkëta në fushën e teknologjisë dhe prodhimit ushtarak.

 

Mbrojtja civile, kultura dhe zhvillimi ekonomik

Marrëveshjet e tjera lidhen me mbrojtjen civile përmes granteve, huave dhe bashkëpunimit teknik mes institucioneve shqiptare dhe italiane. Një nga marrëveshjet e veçanta është ajo midis Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Fondacionit MAXXI në Romë, që synon shkëmbime artistike dhe ekspozita të përbashkëta. Në fushën ekonomike, AIDA dhe SIMEST S.p.A. do të bashkëpunojnë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare, ndërsa Italia do të japë hua për përmirësimin e rrjetit elektrik në veri të vendit, pas dëmeve të tërmetit të vitit 2019.

 

Një partneritet i ri strategjik

Italia është vendi i parë jashtë Bashkimit Europian që zhvillon një mbledhje të përbashkët me qeverinë shqiptare, duke thelluar partneritetin strategjik mes dy vendeve në të gjitha fushat. “Mbledhja e përbashkët qeveritare shënon një moment të ri në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe i hap rrugë një bashkëpunimi më të strukturuar e të qëndrueshëm,” theksoi Kryeministri Rama, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit europian dhe forcimit të lidhjeve me Italinë, partnerin më të afërt të Shqipërisë në rajon.

 

Burimi: Ora news


Më të lexuarat