Kursi i Euros e nis javën me rënie të mëtejshme, prek minimum të ri historik në 96.5 lekë
Monedha europiane zbriti sot në 96.5 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, ndërsa presionet sezonale dhe flukset valutore e shtyjnë kursin drejt rënies.
Tregu nis javën me dobësim të mëtejshëm të Euros
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye këtë të martë me 96.5 lekë, duke shënuar një rekord të ri historik pas mbylljes së javës së kaluar në 96.57 lekë. Aktorët e tregut vlerësojnë se periudha festive ka shtuar flukset valutore nga emigrantët dhe turizmi, duke thelluar presionet mbi monedhën europiane.
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë zbusin lëvizjet e kursit
Edhe pse tendenca rënëse është e fortë, ndërhyrjet e vazhdueshme të bankës qendrore e kanë bërë luhatjen më të moderuar se vitet e mëparshme. Blerjet e fundit përfshijnë 15.1 milionë euro në ankandin e së premtes dhe transaksione të tjera direkte më 4 dhjetor, që synuan të frenonin rënien e shpejtë të kursit.
Gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar blerjet në tregun valutor: 933 milionë euro në vitin 2024 dhe rreth 800 milionë euro vetëm në nëntëmujorin e këtij viti.
Pritshmëritë për dhjetorin dhe roli i politikës fiskale
Dhjetori pritet të mbajë të forta presionet mbi Euro, por ndërhyrjet e bankës qendrore mund ta kufizojnë lëvizjen brenda intervaleve të vogla. Në ditët e fundit të vitit, është e mundur një rritje e përkohshme e Euros për shkak të shpenzimeve të përqendruara të qeverisë, që rrisin ofertën e Lekut në treg.
Suficiti i lartë buxhetor, që në fund të 10-mujorit arriti 49.2 miliardë lekë, ka reduktuar qarkullimin e Lekut dhe ka ndikuar më tej në mbiçmimin e tij.