Secondary Adv

Të ardhurat në buxhet u rriten me 11.7 për qind në katër muajt e parë të 2026

Të ardhurat buxhetore arritën 275.7 miliardë lekë gjatë periudhës janar-prill 2026.

Ministria e Financave ka publikuar treguesit paraprakë fiskalë për periudhën janar-prill 2026, ku rezulton se të ardhurat totale në buxhet kanë arritur në 275.7 miliardë lekë, me një rritje prej 11.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, janë mbledhur rreth 28.8 miliardë lekë më shumë se në katërmujorin e parë të vitit 2025, ndërsa realizimi ka qenë 105.2 për qind e planit të periudhës.

 

Shpenzimet e përgjithshme publike për katër muajt e parë të vitit 2026 arritën në rreth 221.6 miliardë lekë, me realizim në masën 95.1 për qind të planit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shpenzimet rezultojnë 6.2 për qind më të larta, ose rreth 12.9 miliardë lekë më shumë.

 

Rritje e të ardhurave nga tatimet dhe doganat

Të ardhurat e mbledhura nga Tatimet dhe Doganat për periudhën janar-prill 2026 arritën në 171.6 miliardë lekë, me një rritje prej 7.7 miliardë lekësh ose 4.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore, ku përfshihen TVSH-ja në import, akcizat, taksat doganore dhe renta minerare, u realizuan në vlerën 73.6 miliardë lekë, ose 1.7 për qind më shumë se në katërmujorin e parë të vitit 2025. Realizimi i planit për këtë kategori ishte 96.8 për qind.

 

Të ardhurat nga TVSH në import arritën në 49.5 miliardë lekë, me një rritje prej 1.4 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë të ardhurat nga akciza u realizuan në shumën 20.4 miliardë lekë, ose 2.2 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Renta minerare në eksport solli 600 milionë lekë të ardhura, me realizim 81.8 për qind të planit, ndërsa të ardhurat nga taksat doganore arritën në 3.1 miliardë lekë, me rritje prej 9.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

 

TVSH dhe taksat nacionale me rritje të ndjeshme

Të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore arritën në 98 miliardë lekë, ose 7.1 për qind më shumë se në katërmujorin e parë të vitit 2025. Krahasuar me planin, të ardhurat rezultojnë 2.3 miliardë lekë më të larta.

TVSH-ja neto në vend u realizua në shumën 29.5 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje prej 15.7 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe një realizim prej 114.5 për qind të planit. Gjatë kësaj periudhe janë dhënë 4.7 miliardë lekë rimbursime.

 

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në 23.6 miliardë lekë, ose 87.4 për qind e planit të katërmujorit, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale solli 28.4 miliardë lekë, me një rritje prej 4.6 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Edhe taksat nacionale shënuan rritje të fortë, duke arritur në 16.4 miliardë lekë, ose 15 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Realizimi i planit për këtë kategori ishte 111.7 për qind.

 

Rriten të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore

Të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, arritën në 66.8 miliardë lekë. Krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2025, këto të ardhura rezultojnë 12.5 për qind më të larta, ndërsa realizimi i planit ishte 102.8 për qind.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat