Përdorimi i obligacioneve si kolateral për kreditë pësoi rënie në 2025
Përdorimi i titujve të borxhit të qeverisë si garanci për kreditë bankare ka pësuar rënie të fortë gjatë vitit 2025, duke vijuar trendin negativ për të dytin vit radhazi.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vlera e obligacioneve dhe bonove të qeverisë të vendosura si kolateral për kredi bankare zbriti në 310 milionë lekë gjatë vitit 2025, me një rënie prej 79% krahasuar me një vit më parë.
Edhe numri i transaksioneve pësoi tkurrje të fortë. Titujt qeveritarë u përdorën si kolateral vetëm në 41 raste gjatë vitit të kaluar, ose 89% më pak krahasuar me vitin 2024.
Individët dominojnë përdorimin e obligacioneve si garanci
Pjesa më e madhe e përdorimit të titujve qeveritarë si kolateral i përket individëve. Sipas AMF-së, individët vendosën si garanci tituj me vlerë totale 210 milionë lekë, ose 84% më pak krahasuar me një vit më parë.
Në segmentin e bizneseve, vlera e obligacioneve të përdorura si kolateral zbriti në 100 milionë lekë, me rënie 45% në bazë vjetore.
Ecuria negative ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Vlera e titujve të vendosur si kolateral ra nën 10 milionë lekë, rreth 49% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total, gjatë tre muajve të parë të vitit u regjistruan vetëm tre raste të përdorimit të bonove apo obligacioneve si garanci për kredi.
Obligacionet mbeten më të preferuara se bonot
Sipas të dhënave të tregut, instrumentet më të përdorura si kolateral janë obligacionet qeveritare, për shkak të maturitetit më të gjatë, ndërsa bonot e thesarit përdoren më rrallë.
AMF raporton se vitin e kaluar bankat më aktive në pranimin e titujve qeveritarë si kolateral ishin Banka Kombëtare Tregtare dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania. Në vlera më të vogla transaksione të tilla realizuan edhe Credins Bank, OTP Bank Albania, Tirana Bank dhe Raiffeisen Bank Albania.
Pse bankat preferojnë titujt qeveritarë
Titujt e borxhit qeveritar konsiderohen një nga format më të sigurta të kolateralit për bankat. Krahasuar me pasuritë e paluajtshme, obligacionet dhe bonot janë më likuide, më të lehta për t’u vlerësuar dhe procedurat e ekzekutimit në rast mospagese janë më të shpejta dhe me më pak kosto.
Për këtë arsye, kreditë e garantuara me tituj qeveritarë zakonisht ofrojnë norma interesi më të ulëta.
Megjithatë, ekspertët e sektorit bankar theksojnë se ky lloj kolaterali ka edhe problematika. Një nga rreziqet kryesore lidhet me luhatjen e vlerës së tregut të titujve. Nëse në momentin e ekzekutimit të kolateralit vlera e tregut ka rënë nën shumën e detyrimit, banka mund të mbetet me një pjesë të kredisë të pambuluar.
Për të minimizuar këtë risk, bankat aplikojnë koeficientë më të lartë mbulimi dhe monitorojnë periodikisht vlerën e tregut të titujve të vendosur si garanci. Në rast se vlera bie nën nivelin e kërkuar, klientit mund t’i kërkohet të shtojë kolateral shtesë.
Sektori kërkon përmirësim të procedurave
Sipas përfaqësuesve të sektorit bankar, një nga çështjet që kërkon përmirësim është regjistrimi i bllokimit të titujve në favor të bankës në regjistrin pranë Bankës së Shqipërisë.
Bankierët kërkojnë gjithashtu procedura më të qarta për bllokimin dhe transferimin e pronësisë së titujve në favor të bankës huadhënëse në rastet kur titujt administrohen nga banka të tjera kujdestare.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)