Secondary Adv

Paketa e Maleve, miratohen zonat prioritare në bashkitë Gjirokastër dhe Fier

Qeveria ka miratuar dy bashki të reja në kuadër të Paketës së Maleve, duke zgjeruar zonat prioritare për zhvillimin ekonomik rural në bashkitë Gjirokastër dhe Fier.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, gjatë deklaratës për mediet pas mbledhjes së qeverisë. Sipas tij, Paketa e Maleve po vijon me ritme të qëndrueshme dhe numri i aplikimeve po rritet gradualisht.

 

“Sot kemi miratuar dy bashki përsa i përket zonave prioritare që është bashkia Gjirokastër dhe bashkia Fier. Po ashtu Paketa e Maleve vazhdon me ritmin që ka pasur dhe besoj që dita ditës numri i aplikimeve vazhdon dhe të rritet”, deklaroi Demo.

 

Debati për Sarandën dhe pronat private

I pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, për zbatimin e Paketës së Maleve në Sarandë, ministri theksoi se iniciativa synon zhvillimin ekonomik lokal dhe rural dhe nuk prek pronat private individuale.

 

Sipas tij, Paketa e Maleve nuk aplikohet në zonat urbane dhe përfituesit janë të përcaktuar qartë në ligj.

 

“Nuk bëhet fjalë për zonat urbane. Është e rëndësishme të kuptohet që nuk përfshihen në asnjë rast prona të cilat janë në pronësi individuale private. Dy kategoritë që mund të përfitojnë nëpërmjet Paketës së Maleve janë të përcaktuara saktësisht në ligj, ata që kanë përdorur një pronë për më shumë se 10 vjet ose ata që kanë lidhje historike pronësie me paraardhësit e tyre”, u shpreh Demo.

 

Qeveria synon zhvillimin rural

Ministri nënvizoi se bashkitë kanë një rol kyç në zbatimin e paketës dhe në menaxhimin e territorit, duke e konsideruar këtë mekanizëm si një instrument zhvillimi ekonomik për zonat rurale.

 

“Jam i bindur që bashkitë do të ndjekin të gjitha hapat për të garantuar që rastet të trajtohen sipas ligjit dhe mbi të gjitha për të garantuar zhvillimin ekonomik rural”, deklaroi ai.

 

Paketa e Maleve është një nga iniciativat që synon të nxisë investimet, përdorimin ekonomik të pronave dhe zhvillimin e turizmit rural në zonat malore të vendit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat