Secondary Adv

Biznesi zgjeron huamarrjen, prilli e ktheu në rritje kredinë për ekonominë

Kreditimi i ekonomisë shqiptare shfaqi shenja të forta përmirësimi gjatë muajit prill, i nxitur kryesisht nga rritja e huamarrjes së bizneseve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar disbursoi mbi 39 miliardë lekë kredi të reja gjatë muajit prill, me një rritje prej 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Rritja më e fortë u regjistrua në segmentin e biznesit, ku kredia e re u zgjerua me 25% në bazë vjetore. Ndërkohë, kreditimi për individët u rrit me ritme më të moderuara, rreth 8% më shumë krahasuar me prillin e vitit 2025.

 

Prilli përmirësoi ecurinë e kredisë për vitin

Performanca pozitive e muajit prill ndryshoi ndjeshëm ritmin e kreditimit për të gjithë vitin. Për periudhën janar-prill 2026, sektori bankar ka dhënë kredi të reja në vlerën totale të 137.7 miliardë lekëve, në rritje me 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Deri në fund të marsit, ritmet e kreditimit kishin qenë pothuajse të njëjta me ato të vitit 2025, por muaji prill riktheu huadhënien në një tendencë të qartë zgjerimi.

 

Kontributin kryesor në këtë rritje po e japin bizneset. Në katër muajt e parë të vitit, kreditimi i ri për sipërmarrjet arriti në 92.8 miliardë lekë, ose 11.5% më shumë krahasuar me një vit më parë.

 

Kredia për individët ngadalësohet

Në segmentin e individëve, ritmet e rritjes së kreditimit janë më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar. Për periudhën janar-prill, kredia e re për individët arriti në 44.2 miliardë lekë, me një rritje modeste prej 3%.

 

Ngadalësimi lidhet kryesisht me frenimin e kredive për blerjen e banesave. Sipas të dhënave të tregut, ndikim kanë pasur masat kufizuese të miratuara nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, si edhe qasja më e kujdesshme e bankave për shkak të rreziqeve që lidhen me çmimet e larta të pasurive të paluajtshme.

 

Portofoli total i kredisë vijon zgjerimin

Rritja e huadhënies është reflektuar edhe në zgjerimin e portofolit total të kredisë për ekonominë. Në fund të muajit prill, teprica e kredisë arriti në 968.2 miliardë lekë, rreth 9.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me muajin mars.

 

Në krahasim me një vit më parë, portofoli total i kredisë është rritur me 11%.

Rritjen më të lartë vazhdon ta shënojë segmenti i individëve, me 17.1% më shumë në bazë vjetore. Edhe pse kredia e re për individët është ngadalësuar gjatë muajve të parë të vitit, portofoli total vijon të rritet me ritme të larta për shkak të maturiteteve të gjata të kredive për banesa, të cilat amortizohen më ngadalë në kohë.

 

Ndërkohë, kredia për bizneset po rikuperon gradualisht ritmin e zgjerimit. Në fund të prillit, portofoli i huave për sipërmarrjet rezultoi në rritje vjetore me 9.2%.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat